Lajme

Mbrojtja: Kilaj nuk është fajtor, nuk ka veprim të kryer

Përmendja e një plani për kryerjen e një vepre, nuk është e barabartë me vetë kryerjen e veprës.

Me këtë argument, në fjalën e vet përmbylllëse, mbrojtja e Isni Kilajt, ka paraqitur argumente të forta kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar duke e akuzuar atë për mungesë të plotë të provave konkrete në pretendimin e saj për pengim të drejtësisë.

Ishte kreu i ekipit mbrojtës, avokati Iain Edëards, ai që e pohoi se klienti i tij ka qëndruar rreth 565 ditë në paraburgim, larg familjes dhe të afërmve, në një periudhë ku akuza bazohet ekskluzivisht në dyshime dhe spekulime. Sipas tij Kilaj nuk ka kontaktuar asnjë dëshmitar, nuk ka dërguar mesazhe dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të penguar drejtësinë.

Edwards: Kilaj nuk e ka kontaktuar asnjë dëshmitar

“Ju u ndalët në lidhje me shkëmbimet midis zotit Kilaj dhe zotit Thaçi, kjo çështje ka të bëjë me një gjë të vetme dhe vetëm me një gjë. Dhe është një fjali që do t’ju kërkoj juve, e nderuar gjykatë, ta mbani parasysh kur të shqyrtoni të gjitha provat në këtë çështje. Veprimet në këtë çështje, mungesa e… apo më shumë mungesa e veprimit, flet më shumë sesa fjalët. Zoti Kilaj nuk ka kontaktuar dëshmitarët sepse ai qartësisht nuk kishte synimin që t’i kontaktonte ata. Nuk kishte synimin të kontaktonte dëshmitarët sepse në asnjëherë nuk ka patur synimin të pengojë personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare siç pretendohet në pikën 14 të akuzës”, tha Edwards.

Krejt kjo sipas avokatit tjetër, Joe Holmes, mund të verifikohet edhe nga përgjimi i telefonit.

Holmes: Nuk u gjet asnjë telefonatë, apo mesazh në telefonin e Kilajt

“Nuk ka asnjë provë të ketë pasur ndonjë takim me dëshmitarët e çështjes 6, nuk ka pasur ndonjë telefonatë, ndonjë mesazh, nuk është paraqitur ndonjë provë e vetme lidhur me këtë. Zoti Kilaj kishte mundësinë për të paktën një muaj të bënte diçka, por nuk bëri asgjë, derisa e arrestoi Prokuroria më 2 nëntor. Por, argumenti ynë është ky: Nuk ka përgjegjësi penale për tentativë që të mund të justifikojë këtë periudhë kaq të gjatë ku nuk është bërë asgjë. Prandaj, ZPS-ja, i nderuar gjykatës, ju fton ju të krijoni risi ligjore, por ama nuk pranojnë asnjë prej mangësive në çështjet e tyre. Nuk bëjnë një analizë, një precedent apo një parim pse ka ndodhur kjo. Ju mund të mendoni sepse kjo ndodh se nuk ka asnjë lloj tentative. Dhe është tërësisht e pambështetur me parimet e përgjithshme të së drejtës penale”, tha Holmes.

Kësisoj, beteja kryesore ligjore po zhvillohet rreth Neneve 27 dhe 28 të Kodit Penal të Kosovës, ku palët po përplasen për përcaktimin e saktë të “actus reus” (aktit penal). Mbrojtja pretendon se gjithçka ka mbetur në një fazë përgatitore të stërzgjatur, një periudhë ku të dyshuarit thjesht kanë reflektuar dhe rishqyrtuar idetë e tyre, pa ndërmarrë asnjë hap thelbësor për kryerjen e veprës penale.

Holmes: Nuk mjafton plani, kur mungon veprimi

“Për shembull, nëse një grup personash formojnë një organizatë kriminale me qëllim kryerjen e veprave penale, për trafikimin e lëndëve narkotike për shembull, apo për kryerjen e veprave penale të terrorizmit, atëherë është e qartë që ky është një akt përgatitor dhe jo tentativë për kryerjen e veprës penale. Sigurisht krimet e rënda që janë diskutuar këtu, janë krejt të ndryshme nga situata jonë. Po unë dua të dal këtu: të bashkohen persona në një grup me synimin për të realizuar diçka, po pa ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ta realizuar veprën penale, nuk mund të quhet actus reus për tentativën, por është thjesht faza përgatitore për vijimësinë e veprës penale”, tha Holmes.

Kilaj, bashkë me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Hajredin Kuçin e Hashim Thaçin po akuzohen për pengimin e administrimit të drejtësisë në rastin e madh, ku ky i fundit, bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin po gjykohen për krime lufte. 

Të Ngjashme