Lajme

Më 15 Nëntor mbahet seanca ndaj kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla

Seanca ndaj kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla do të zhvillohet më 15 nëntor, në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërsa gjyqtare është caktuar Flora Hajredinaj.

Disa ditë më parë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim dosjen për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memollën.

SPAK ka dërguar për gjykim dosjen e Memollës, Ndriçim Tafxhafës, Blerim Xhamanit dhe Isuf Toskur, të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe dy prej tyre për “falsifikim dokumentash”.

Ky procedim penal është regjistruar pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku shtetasi Edison Memolla, kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, ndikon tek shtetasi Blerim Xhamani–elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022.

Nga tërësia e veprimeve është provuar Memolla, ndikon tek Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datë 06.03.2022.

Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.