ShowBizzz

“Më humbe, përgjithmonë”- Ish-banorja e Big Brother publikon mesazhet me ish-partnerin

Një deklaratë e Lim Hotit për marrëdhënien e tij me Alba Pollozhanin ka sjellë një përplasje të re mes dy ish-banorëve të “Big Brother VIP Kosova 4”.

Pasi Limi u shpreh në një intervistë me Françeska Rustemin se historia e tyre kishte qenë më shumë për spektakël sesa një lidhje e mirëfilltë dashurie, Alba ka reaguar publikisht, duke kundërshtuar versionin e tij.

Përmes një serie postimesh në Instagram, ajo ka publikuar biseda private dhe telefonata të humbura, të cilat pretendon se i përkasin komunikimeve me ish-partnerin. Në pamjet e shpërndara shfaqen mesazhe të datave 11 dhe 12 mars 2026, pas përfundimit të spektaklit.

Në një prej mesazheve të publikuara shkruhet: “Në shtëpinë time nuk hyn më dhe mua më humbe. Forever”. Në të njëjtën bisedë shihen edhe telefonata të përsëritura, ndërsa Alba i ka përdorur këto materiale për të kundërshtuar pretendimin se marrëdhënia e tyre kishte qenë vetëm për kamerat.

“A të nxjerr ndoshta më mirë screenrecordin se si u përpoqe para një muaji të hyje sërish në kontakt? Boll me gënjeshtra! Boll më nxore të pamoralshme!”, ka shkruar ajo, duke lënë të kuptohet se disponon edhe komunikime të tjera.

Por reagimi i Albës ka përfshirë edhe pretendime për prapaskenat e “Big Brother VIP Kosova”. Ajo ka deklaruar se kishte ndikuar personalisht që Limi të bëhej pjesë e formatit, madje duke i kërkuar produksionit hyrjen e tij gjatë qëndrimit në shtëpi.

“Unë i bëra presion Bigut në dhomën e rrëfimeve: ‘O e sillni atë këtu, o unë dal’”, ka shkruar ish-banorja.

Alba ka pretenduar gjithashtu se e kishte këshilluar Limin të negocionte një pagesë më të lartë për pjesëmarrjen, duke përmendur shumën prej 20 mijë eurosh. Këto deklarata mbeten pretendime të saj dhe nuk janë konfirmuar nga produksioni apo nga vetë Limi.

Në postimet e tjera, ish-banorja ka shprehur zhgënjimin për mënyrën se si është trajtuar publikisht marrëdhënia e tyre. “Të besova jetën time! Të besova intimitetin tim! Të besova zemrën time! Të besova gjithçka isha!”, shkruan ajo.

Alba ka pranuar se kishte bërë përpjekje për ta kthyer historinë e tyre në një fenomen televiziv, por ka këmbëngulur se këtë e kishte bërë sepse besonte te marrëdhënia, jo sepse lidhja ishte e sajuar.

Në fund, ajo ka theksuar se historia mes tyre ka përfunduar pas daljes nga “Big Brother” dhe se nuk dëshiron që ish-partneri të vazhdojë ta përmendë në intervista.

“Historia jonë ka mbaruar pasi kemi dalë nga Bigu! Dhe nuk dua fare të bëhet intervistë për mua dhe atë! Unë kam vazhduar jetën time!”, ka shkruar Pollozhani.

Deri tani, Lim Hoti nuk ka dhënë një përgjigje të re publike ndaj mesazheve dhe pretendimeve të fundit të ish-partneres së tij.

Të Ngjashme