Me nderime të larta ushtarake është varrosur sot në Polac të Skënderajt, Ali Ngucati, zyrtar i lartë i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të FSK-së, në homazhet e mbajtura në Shtëpinë e Kulturës në Skenderaj morën pjesë familjarë, miq, kolegë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të shumtë.
Pas homazheve u mbajt edhe një akademi përkujtimore, ku u vlerësua kontributi i tij gjatë luftës çlirimtare dhe në ndërtimin e institucioneve të sigurisë pas luftës.
“Në emër të Komandantit të FSK-së dhe të gjithë ushtarakëve, fjalën e mori zëvendës komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi, i cili pasi shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët, vlerësoi lart kontributin e çmuar, përkushtimin dhe angazhimin e Ali Ngucatit në shërbim të atdheut, duke theksuar rëndësinë e veprës dhe angazhimit të tij ndër vite, që nga celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e deri në formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Në Akademi gjithashtu folën nënkryetari i Komunës së Skënderajt, z.Fadil Nura, nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, z.Faik Fazliu, dhe në emër të familjes vajza Alisa Ngucati, të cilët vlerësuan lartë kontributin e Aliut si në luftë po edhe pas luftës në krijimin e institucioneve të sigurisë në vende”.
“Ali Ngucati ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brigada 114 e UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës, pas transformimit të UÇK-së ka shërbyer në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës dhe vdekja e ndau në pozitën civile, zyrtar i lartë në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
I ndjeri la pas vetes babanë, bashkëshorten dhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, të cilët i rriti dhe i edukoi me dashuri, përkushtim dhe frymë të thellë atdhedashurie, duke ua përcjellë vlerat dhe idealet që e karakterizuan edhe vetë gjatë gjithë jetës së tij”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
