Lajme

Vrasja do kryhej në mëngjes, objektivi u prishi planet/ Detajet e atentatit të dështuar në Lezhë

Tre persona të armatosur, të arrestuar një ditë më parë në Lezhë, dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një vrasje. Hetimet e policisë kanë zbardhur detaje të reja mbi lëvizjet e tyre, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe mundësinë e përfshirjes së një grupi të dyshuar për vrasje me pagesë.

Në pranga kanë rënë Vincessk Piroli, Krisitian Ymeri, i njohur me pseudonimin “Shkambi”, si dhe Elden Tarja.

Sipas informacioneve paraprake, atentati dyshohet se ishte planifikuar të realizohej në orët e mëngjesit, por plani nuk u vu në zbatim pasi personat e dyshuar nuk arritën të identifikonin objektivin e tyre.

Gjatë hetimeve po shqyrtohen edhe lëvizjet e tre të arrestuarve me një motor të vjedhur, ndërsa çështja ka tërhequr vëmendjen edhe të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Kjo e fundit ka shfaqur interes për të verifikuar nëse pas personave të arrestuar qëndron një grup i dyshuar për organizimin e vrasjeve me pagesë.

Ndërkohë, Policia e Lezhës, nën drejtimin e prokurorisë së këtij qyteti, po heton për disa vepra penale, mes tyre mbajtja pa leje e armëve dhe municionit, sigurimi i kushteve për kryerjen e vrasjes dhe trafikimi i mjeteve motorike.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse të arrestuarit kanë pasur bashkëpunëtorë të tjerë.

Të Ngjashme