Lajme

“MË RREZIKOHET JETA!”/ U kap me armë në shtëpi, mbyllet në burg Andrea Kalemi. Transferohet në..

Gjykata e Gjirokastrës ka vendosur të mbyllë në burg Andrea Kalemin, një nga personazhet kryesorë të grupit familjar “Kalemi” në Memaliaj, i cili u arrestua 1 javë më parë për akuzën e “Mbajtjes pa leje të një automatiku dhe pistolete”.

Bashkë me të në burg ka mbetur dhe Jetmir Kalemi, ndaj të cilit prokuroria ngriti akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”, pasi mbante në banesë personin e shpallur në kërkim Andrew Bode.

Në dosjen hetimore thuhet se Andrea Kalemi në momentin e sulmit me armë ku mbeti i vrarë babai i tij, Shyqo Kalemi, kamarieri Gledio Muka, klienti Marsel Çela dhe u plagos xhaxhai i tij, Artur Kalemi, ndodhej në dyqanin e tij.

Pas kësaj ngjarje të rëndë ai ka shkuar në vendin e krimit, duke u përpjekur të japë ndihmën e parë.

Ndërsa në seancën gjyqësore Andrea Kalemi ka deklaruar se prezenca e tij në burg, i rrezikon jetën.

Pas caktimit të masës së sigurisë “arrest në burg”, Andrea dhe Jetmir Kalemi janë transferuar në paraburgimin e Fierit, duke u vendosur në një regjim të sigurt.

Andrea Kalemi, i ka shpëtuar dy herë sulmit me armë fillimisht në një plazh në Greqi dhe më pas në një burg të sigurisë së lartë në Greqi.

Përplasja e kësaj familje është me atë të familjes së Edmond Papa, i cili mbeti i vrarë në Tiranë.

Zanafilla e sherrit ka nisur fillimisht për 100 kg hashash që Edmond Papa nuk ja pagoi Aleksandër Sadikajt në Memaliaj.

Mes dy miqve ka ndodhur një kontradiktë për punën e pagesës së kësaj sasie droge, duke çuar në ndezjen e konfliktit me vrasjen e Aleksandër Sadikaj me tritol në makinë, shpërthim i cili ndodhi në afërsi të Lundrës.