Lajmi për arrestimin e kryetarit të Bashkisë në detyrë të Himarës, Jorgo Goros, ka shkuar deri në shtetin fqinj. Mediat greke i kanë kushtuar një artikull arrestimit të kryebashkiakut pasditen e kësaj të shtune.
“Protothema”, “Newsbomb.gr”, “In.gr”, “Cnn.gr”, janë disa prej mediave të cilat me shpejtësi i kanë bërë jehonë lajmit të arrestimit të Goros, pas kallëzimit të bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Belerit, i cili e akuzoi për “shpërdorim detyre”, lidhur me shkeljen e procedurave ligjore për dhënien e lejes për Artan Gaçin.
LAJMET NË MEDIAT GREKE:
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës , Fredi Beleri, i cili ndodhet në qeli pasi u dënua me 2 vite burg për shitblerje të votës gjatë zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, kreu një kallëzim penal ndaj kryetarit në detyrë të kësaj Bashkie Jorgo Goro, se ka trajtësuar një pronë në favor të të tretëve, pronë e cila pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.
“Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi.
Të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme.
Trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorët strategjikë, shtetasin Artan Gaçi etj.
Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj.” thuhet në kallëzimin e kryer nga Fredi Beleri më herët.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo