Lajme

Mediat në Izrael: Inteligjenca egjiptiane njoftoi Netanyahun për “diçka të madhe” 10 ditë para, kryeministri ynë e injoroi

Opinioni publik në Izrael është lajmëruar këtë të hënë përmes mediave, se 10 ditë para se terroristët e Hamas të sulmonin vendin e tyre, kryeministri Benjamin Netanyahu është njoftuar nga zyrtarë të lartë të Egjiptit se “diçka e madhe” do të vinte.

Konkretisht, mediat në Izrael bëjnë me dije se ministri i Inteligjencës i Egjiptit kishte telefonuar kryeministrin Netanyahu 10 ditë para sulmit dhe e kishte vënë në dijeni, se ata kishin mësuar se Hamasi po planifikonte “diçka të madhe”.

Zyrtari egjiptian që ka folur për mediat në kushte anonimati, ka thënë se Egjipti, i cili shpesh shërben si ndërmjetës midis Izraelit dhe Hamasit, kishte folur vazhdimisht me izraelitët për “diçka të madhe”, por pa dhënë detaje.

Ai tha se zyrtarët izraelitë ishin të përqendruar në Bregun Perëndimor dhe minimizuan kërcënimin nga Gaza. Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu përbëhet nga mbështetës të kolonëve të Bregut Perëndimor, të cilët kanë kërkuar një rritje të sigurisë atje përballë një valë në rritje të dhunës gjatë 18 muajve të fundit.

“Ne i kemi paralajmëruar se një shpërthim i situatës po vjen, dhe shumë shpejt, dhe do të ishte i madh. Por ata i nënvlerësuan paralajmërimet e tilla”, tha për Associated Press zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të diskutonte përmbajtjen e diskutimeve të ndjeshme të inteligjencës me mediat.

Për një nga paralajmërimet e përmendura, ministri i inteligjencës i Egjiptit, gjenerali Abbas Kamel, i telefonoi personalisht Netanyahut vetëm 10 ditë para sulmit masiv se Gazanët kishte të ngjarë të bënin “diçka të pazakontë, një operacion të tmerrshëm”, sipas faqes së lajmeve Ynet.

Zyrtarët egjiptianë të paidentifikuar i thanë faqes se ishin të shokuar nga indiferenca e Netanyahut ndaj lajmit dhe thanë se kryeministri i tha ministrit se ushtria izraelite ishte “zhytur” në telashet në Bregun Perëndimor.

Megjithatë, Zyra e Kryeministrit mohoi raportet në një deklaratë të hënën, duke pretenduar se ato ishin një “gënjeshtër e plotë”.

“Asnjë mesazh i hershëm nuk erdhi nga Egjipti dhe kryeministri nuk foli apo u takua me shefin e inteligjencës që nga krijimi i qeverisë – jo në mënyrë indirekte apo direkte. Ky është një lajm krejtësisht i rremë”, thuhet në deklaratë.

Për palestinezët në Gaza, sytë e Izraelit nuk janë kurrë shumë larg. Dronët e vëzhgimit gumëzhin vazhdimisht në qiell. Kufiri shumë i siguruar është i mbushur me kamera sigurie dhe ushtarë në roje. Agjencitë e inteligjencës punojnë me burime dhe aftësi kibernetike për të nxjerrë informacion.

Por sytë e Izraelit dukej se ishin mbyllur në fillim të sulmit të befasishëm nga grupi terrorist Hamas, i cili depërtoi barrierat kufitare izraelite dhe dërgoi qindra terroristë në Izrael për të kryer një sulm të paprecedentë që vrau mbi 700 njerëz dhe plagosi mbi 2000 të tjerë.