Publicisti Kim Mehmeti ka reaguar lidhur me imazhet e fundit të ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë paraqitjes së tij në gjykatë.
Në emisionin “Këndi i Kimit” në Tëvë1, Mehmeti kritikoi mënyrën se si Meta është trajtuar gjatë gjykimit, duke e cilësuar atë si të papranueshme.
Sipas tij, paraqitja e Metës në një hapësirë të mbyllur, të ngjashme me “kafaz”, është e tepruar dhe e papërshtatshme për një ish-president.
“Kjo është drejtësia e piktorit. Ish-presidentin Ilir Meta e shfaqin si të ishte krimineli më i madh që ka pasur Shqipëria. Edhe kur i dënonin kriminelët në Nuremberg, nuk kishte kafaz siç ishte i vendosur Ilir Meta”, ka thënë Mehmeti.
Ai shtoi se një trajtim i tillë përbën mungesë respekti institucional dhe ngriti pikëpyetje për pasojat në rast se Meta shpallet i pafajshëm.
“Nuk merret parasysh a ka mëkate apo shkelje ligjore, por shpërfaqet sikur është krimineli më i madh. Kjo është mosrespekt ndaj vetvetes, sepse ai nuk erdhi nga qielli, por Shqipëria e bëri president. Çka nëse del i pafajshëm – ku do të shkojnë këta 18 muaj, kush do të paguajë për këtë deformim?”, është shprehur ai.
Mehmeti kritikoi edhe mënyrën e arrestimit dhe trajtimin publik të Metës, duke sugjeruar se kjo mund të jetë e ndikuar nga motive politike.
“Në rrugë e kanë zvarritur sikur të ishte krimineli më i madh. Pse? Sepse duhet të shkojë deri në fund inati i dikujt”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai shtoi se paraburgimi i Metës, sipas tij, është i ndikuar nga përplasje politike.
“Kjo është drejtësi e ndikuar nga inatet politike. Ai ka qenë kundër ‘piktorit’ (Edi Rama), dhe kjo është drejtësia e piktorit”, ka përfunduar Mehmeti.
