Gazetari Gëzim Mekuli ka reaguar ndaj deklaratave që lidhen me ish-oficerin e Ushtrisë Shqiptare dhe ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj, duke kritikuar ashpër kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Mekuli ka thënë se etiketimi i Goxhajt si “njeri i Iranit” përbën degradim moral dhe dëmton vlerat kombëtare, duke e krahasuar këtë me etiketimet që, sipas tij, u janë bërë dikur veprimtarëve dhe luftëtarëve shqiptarë.
Ai është shprehur se historia do të tregojë se kush ka vepruar në interes të kombit dhe kush për agjenda të tjera.
Shkrimi i plotë:
Pra, Edi Rama dhe banda e tij guxojnë ta quajnë Dritan Goxhajn, ish-oficerin e Ushtrisë Shqiptare dhe ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si “njeri të Iranit“?!
Paramendojeni se deri ku arrin degradimi moral: kur (pa)kryeministri shqiptar, vetëm për të shpëtuar b*thën e vet, ndotë dhe etiketon një pjesëtar të Ushtrisë Shqiptare dhe të UÇK-së si “zëdhënës të Iranit”, pse çuditemi atëherë kur një propagandë të tillë të egër anti-UÇK e bën Serbia e moçme dhe lobi serb i Aleksandër Vuçiçit? Kur sulmi ndaj vlerave kombëtare vjen nga brenda, nga vet Kryeministri, ai thjesht legjitimon propagandën e armikut jashtë.
Kjo strategji e fëlliqtë e dënimit dhe e shpifjes ndaj shqiptares si politikë, nuk është e re. Edhe në Kosovë, disa politikanë dhe pushtetarë të viteve 1981 dhe 1997-1998, djemtë dhe vajzat që protestonin për liri, e që më vonë zbrazën plumb e barut mbi uniformat e ushtrisë dhe policisë pushtuese të Serbisë,i quanin me të njëjtat epitete: “rrugaçë“, “enveristë“, “agjentë të Serbisë“, “zëdhënës të Beogradit“ apo “dorë e zgjatur e UDB-së serbe“.
Por historia e dëshmoi krejt të kundërtën dhe i vendosi gjërat në vendin e vet: ata djem e vajza nuk ishin agjentë të Serbisë e as të Greqisë, por ishin vetë populli, ishte vetë shpirti i rezistencës shqiptare. Ashtu si atëherë, edhe sot, historia do t’i zhveshë shpifjet e dRamës dhe do të vërtetojë se kush punon për komb e kush për agjenda të huaja.
