ShowBizzz

‘Menaxheri i Vetmisë’:Të rinjtë të pavetëdijshëm për vetminë!

Në këtë festë të Shën Valentinit, problemi i vetmisë është veçanërisht i dukshëm për shumë njerëz të prekur. Ndërkohë, vetmia është bërë edhe temë e politikës federale në Gjermani. Në disa vende ka njerëz që janë marrë për një kohë të gjatë me këtë fushë. Sylvio Böhm p.sh. është “menaxher i vetmisë” në një shoqëri strehimi në Erfurt, në lindje të Gjermanisë. Shumica e të prekurve i thanë atij se ata nuk kishin shkëmbyer asnjë fjalë me dikë për javë të tëra, thote DW. Kjo ndjenjë mund të lindë në pleqëri, sepse shumë marrëdhënie gradualisht shuhen. Kur familja e të moshuarve nuk jeton më ku jetojnë ata, kur ata shohin vetëm shërbimin e infermierisë, nuk mund të bëjnë pazar vetë ose të shkojnë në bankë dhe të flasin me të tjerët atje, jeta për ta mund të bëhet e padurueshme.

Problemi është se familja shpesh priret të largohet nga më të moshuarit pikërisht kur ata kanë më shumë nevojë, tha Böhm për radion gjermane Deutschlandfunk. Por vetmia nuk është një fenomen specifik për të moshuarit. Të prekur gjithashtu janë shumë të rinj. Të rinj ndërmjet moshës 14 dhe 25 vjeç thonë në sondazhe se janë të vetmuar, sepse shpesh nuk janë të sigurt për veten e tyre. Ata shpesh gjejnë strehim në lojëra me video ose #TikTok, por ky është vetëm shpërqendrim. Shumica prej tyre as që janë të vetëdijshëm për vetminë e tyre. Psikologët kujtojnë që mediet sociale nuk zëvendësojnë dot kontaktet fizike. Shkaku është se njeriu është qënie fizike, që dëshiron ta prekin, ta shikojnë në sy, t’i vështrojë të tjerët si janë e ndihen, sa të shëndoshë janë, sa të gjatë, të ndiejë aroma etj. Mediet sociale janë më mirë se asgjë, por nuk zëvendësojnë një përqafim, një shtrëngim duarsh apo një vizitë në spital, kur je sëmurë.

Duke iu referuar qeverisë në Berlin dhe vendimit të saj për të zbatuar një strategji për të luftuar vetminë, Böhm tha se Gjermania ende nuk është pozicionuar sa duhet mirë. Psikologia Maike Luhmann e quajti gjithashtu strategjinë kundër vetmisë, të miratuar para Krishtlindjeve nga qeveria, si të pamjaftueshme. Ajo tha për gazetën “Süddeutsche Zeitung” se strategjia përfshin më shumë se njëqind masa, shumica e të cilave duken të arsyeshme. Por problemi është se nuk investohen euro shtesë. Në vende të tjera tashmë ka ministri të vetmisë. Profesoresha, e cila këshillon qeverinë federale gjermane, shpjegoi se kërkimi mbi vetminë fokusohet tek të rinjtë apo të moshuarit. Por në rrezik janë edhe personat e moshës së mesme, për shembull kur u mbetet pak kohë për miqësi, pasi duhet të kujdesen për fëmijët, për shtëpinë dhe karrierën.Vitin e kaluar, më shumë se një milion njerëz në Gjermani kontaktuan shërbimin e këshillimit telefonik Telefonseelsorge. Sipas një zëdhënësi, luftërat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë ishin shpesh shkaku për telefonatat. Por vetmia dhe gjendja depresive shpirtërore luajnë gjithashtu rol të rëndësishëm, tha ai për agjencinë gjermane të shtypit.

 



bal