Jennifer Lopez dhe Ben Affleck duket se janë më të larguar se kurrë, e mesa duket martesa e tyre dyvjeçare nuk ka më shpëtim. Të martuar në një dasmë surprizë në Las Vegas në vitin 2022 dhe pasi festuan të lumtur përvjetorin e tyre të parë në 2023, ky vit sjell një pamje shumë të ndryshme për ta. Raportet e mediave të huaja tregojnë se përvjetorin e tyre të dytë, më 16 korrik 2024, ata e kaluan larg njëri-tjetrit.
Historia e tyre e dashurisë, që filloi dekada më parë që nga takimi i tyre në xhirimet e Gigli-t në fillim të viteve 2000, ka qenë një kalvar miqësish, ndarjesh dhe marrëdhëniesh të tjera. Pasi i dhanë një mundësi tjetër romancës së tyre në vitin 2021, Lopez dhe Affleck u martuan në vitin 2022. Megjithatë, në mesin e 2024, ata po përfliten për ndarje.
Lopez dhe Affleck ende nuk kanë folur mbi thashethemet e divorcit teksa kanë pasur përvjetorin e dytë të martesës ditën e djeshme. Çifti e kaloi ditën në vende të ndryshme. Affleck duket se është ende në Los Angeles, ndërsa Lopez ka qëndruar në Hamptons në New York që nga 4 korriku.
Lopez dhe Affleck po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë të ndarë ndërsa po përpiqen të shesin rezidencën e tyre prej 60 milionë dollarësh në Beverly Hills, Kaliforni.