Mes tensioneve, zhurmës se bilbilave dhe bllokimit të foltores edhe seanca e sotme plenare u mbyll për 15 minuta e 53 sekonda.
Kaosi i krijuar nga opozita nuk lejoi as këtë të enjte zhvillimin e seancës në kushte normale.
Sakaq bilbilat dhe bllokimi i foltores nuk penguan kryetaren e parlamentit Lindita Nikolla që të miratojë me deputetët e mazhorancës ligjet e parashikuara sipas rendit të ditës.
Nën zhurmën e bilbilave mazhoranca miratoi ligjin për lojërat e fatit. Ligji për ‘Bastet’ u miratua me 72 vota pro.
Ndryshe nga sa ndodhte deri në vitin 2018 ku shqiptarët mund të vinin baste fizikisht në mbi 4 mijë 200 pika, me ligjin e ri licenca do t’u jepet vetëm disa operatorëve.
Për t’u licencuar ata duhet ta regjistrojnë aktivitetin fillimisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit me një kapital jo më pak se 20 milionë lekë, duke përmbushur kushtin e të pasurit eksperiencë së paku tri vite në tri vende europiane. Dokumentacioni duhet të përmbajë origjinën e kapitalit që investohet, dëshminë e penalitetit të sipërmarrësit dhe numri punonjësve.
Relacioni i projektligjit nuk përmban specifikime për sa i përket tatimit të fitimeve të atyre që luajnë, por përcakton detyrimet për subjektet që ofrojnë bastet sportive online.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo