
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka qenë këtë të enjte në një vizitë zyrtare sot në Tiranë dhe mes të tjerash, ka dhënë dhe mesazhe të qarta për Kosovën. Ai është shprehur se dialogu i lehtësuar nga BE dhe i mbështetur nga SHBA, është shtegu i vetëm për Kosovën e Serbinë.
Këto mesazhe janë përforcuar dhe nga Edi Rama, pas bisedës private që Blinken dhe kryeministri shqiptar patën para se të dilnin në konferencën për mediat.
Diskursi i fortë ka bërë që opozita në Kosovë të shënjestrojë menjëherë Albin Kurtin dhe qeverinë që ai drejton, e cila ditët e fundit ka marrë vendimin për të ndaluar përdorimin e dinarit serb, duke mos dëgjuar aleatët amerikanë dhe ata europianë.
Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka komentuar deklaratën e sekretarit amerikan Antony Blinken në Tiranë dhe ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier i cili foli për mediat në të njëjtën kohë në Prishtinë.
“Shqipërinë e vizitoi sot Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken, dhe qëndroi aty më gjatë se secili parardhës i tij që ka mbajtur këtë pozitë. Ai në Tiranë foli për progresin e Shqipërisë si shtet dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të saj aktualisht me ShBA-në. Kurse, nga atje Kosovës iu bë apel që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme, e kjo për të satën herë.
Ironikisht, në të njëjtën kohë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ftoi konferencë për media për t’ia tërhequr vërejtjen edhe një herë Qeverisë për veprimet e njëanshme të përsëritura. Sërish u tha se hapat e ndërmarrë nga kryeministri Albin Kurti kanë dobësuar raportet Kosovë-ShBA dhe se këto veprime kanë shqetësuar edhe vendet e tjera që mbështetën shtetin tonë.
Edhe një flakaresh i rrallës për Kosovën për faj të pamaturisë dhe arrogancës të një kryeministri që sillet si adoleshent i llastuar. Një popull po paguan faturën e marrëzive të këtij kryeministri. Kjo është e dhimbshme dhe duhet të marrë fund sa më shpejtë”, shkruan Visa Azemi.
Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se kjo qeveria Kurti ka sjell politikanë mediokër në pushtet. Ai ka folur dhe për prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me aleatët, e sidomos me Amerikën.
“Kjo qeveri po bënë hapa prapa. Dinari nuk ka vend në Kosovë, por Kosova po menaxhon me politikë vet-izoluese. E ka vendosur pozicionin me SHBA në pozitë bukur të rëndë. Nuk humb sovranitet nëse komunikon me aleatët. Ka rrugë tjetër ku hiqet dinari dhe mbahet aleanca me aleatët. Si do ta mundim Serbinë pa aleatët?
Nuk mundem dhe s’dua ta bëj zëdhënësin e SHBA-së, sepse s’ka nevojë kjo deklaratë për zëdhënës. Por në rajon kanë ndodhur dy gjëra sot që ne si popull i Kosovës duhet t’i marrim si shqetësim. E para ka të bëjë me vizitën e sekretarit të shtetit në Tiranë, kishte mesazhe inkurajuese, fliste për këngëtarët tona me famë botërore, por kjo të gëzon dhe në anën tjetër të mërzit sepse më herët një vizitë e tillë nuk ndodhte pa ardhur në Kosovë. Në anën tjetër patëm deklaratë të Amerikës”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë të dhënë për RTK-në ka thënë në mënyrë simbolike se Kosovë është një anije që Kurti dëshiron ta përplasë, pas presionit amerikan me rastin e ndalimit të dinarit.
“Kosova është një Titanik, një anije e madhe, por që kryeministri Kurti me vetëdije po dëshiron ta përplasë me një shkëmb të madh, pra me Amerikën. Do të ishte tragjike për ne, sjellja e veprimet e tij janë gabim, do të varet nga ne të tjerët se a do ta lejojmë.
Paraqitja e këtillë e jashtëzakonshme e ambasadorit po vjen në kohën kur në Tiranë është sekretari Blinken. I pres po të njëjtat që i tha ambasadori, këto janë qëndrimet e sekretarit Blinken të shprehura nga përfaqësuesi më i lartë i flamurit amerikan në Kosovë, ambasadori Hovenier”, ka thënë Ramush Haradinaj.
Çfarë tha Sekretari Amerikan Antony Blinken, për Kosovën:
-Zoti Sekretar, duke qenë se ju në fjalën tuaj nuk e prekët rajonin dhe Kosovën që për ne është një çështje shumë e rëndësishme, do doja që pyetja ime të adresohet pikërisht për Kosovën. Si i shikoni zhvillimet më të fundit në Kosovë? Si i shikoni hapat që janë hedhur në drejtim të dialogut me Serbinë? Heqjen nga qarkullimi të dinarit, a e shikoni shqetësues dhe faktin që nuk ka asnjë hap përpara për krijimin e asosacioneve të komunave serbe.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken: Faleminderit shumë! Kur nisa të punoja në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, rreth 30 vite më parë, çështja, sfida që ishte nga fillimi deri në fund dhe kjo ishte gjatë administratës së Presidentit Clinton, ishte Ballkani, rajoni i Ballkanit, fillimisht ishte Bosnje-Hercegovina, më pas Kosova.
Kështu që, shumë prej nesh, kanë një histori që shkon thellë dhe që është e gjatë dhe kush më shumë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Presidenti Biden dhe ju e dini këtë shumë mirë, kështu që jemi vërtetë persona, të cilët kemi këtë nocion që nuk mund të shkojmë mbrapa, në të ardhmen. Nuk mund të kemi një ripërsëritje të asaj që ka ngjarë, të asaj që kemi parë dhe të asaj që tejet shumë njerëz kanë përjetuar në vitet 1990-të.
Për këtë arsye jemi të angazhuar që të mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe me Europën.
Përsa i takon Kosovës dhe Serbisë në mënyrë specifike, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i duhuri dhe madje është shtegu i vetëm i duhur dhe ne jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet, që mundemi në mënyrë që të mbështesim të dyja vendet, ndërsa ata përshkojnë këtë shteg. Por gjithashtu, dua të përgëzoj dhe rolin e Shqipërisë se ka qenë një forcë për stabilitet rajonal, për integrim rajonal dhe progres rajonal dhe ky është shtegu në fakt, që kaq qartazi i sjell të gjithë drejt një të ardhme më të mirë. Ne e dimë se cila është alternativa pasi e kemi jetuar, e kemi parë, prandaj jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur të gjitha vendet e rajonit që të ndërmarrin këtë hap, këtë shteg dhe shumë mbështesim në fakt dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe punojmë me Shqipërinë dhe të tjerë që të ndihmojmë vendet që të shkojmë përpara, të bëjmë përpara në këtë shteg.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo