Lajme

“Mësohuni nga Kurti” – Geci ‘shpërthen’ ndaj opozitës dhe Osmanit: Po mbaheni pas…!

Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj partive opozitare dhe figurave politike në vend, duke i akuzuar ato se po përdorin emrat e figurave historike dhe trashëgiminë e luftës për të mbuluar mungesën e vizionit dhe programeve konkrete politike.

Në një postim në Facebook, Geci ka vlerësuar kryeministrin Albin Kurti për, siç thotë ai, mbrojtjen e Kushtetutës dhe sovranitetit të Kosovës, ndërsa ka kritikuar PDK-në, LDK-në dhe presidenten Vjosa Osmani për shfrytëzimin e emrave të Ibrahim Rugovës dhe UÇK-së në debatet politike, transmeton “Bota sot”.

Sipas tij, politikanët duhet të gjykohen për rezultatet dhe projektet që ofrojnë, e jo për figurat historike pas të cilave, siç shprehet ai, vazhdojnë të fshihen.

Shkrimi i plotë

Politikanët që mbahen pas të vdekurve, mbesin të vdekur politikisht dhe kurrë nuk ndërtojnë shtet

Për të mos u kapur pas varreve, nuk është marre të kërkoni ndihmë nga Albin Kurti që t’ju mësojë se si mbrohet Kushtetuta dhe sovraniteti cep më cep, dhe si ndërtohet shteti pa u mbështetur në varre, por në programe që preken dhe shihen.

PDK-ja shprehet hapur se do ta bllokojë qeverisjen e Kurtit me çdo kusht, edhe nëse koalicioni VV–Guxo–Alternativa–PDK arrin deri në 80%, “nuk keni me mujt me qeverisë”.

Politikanëve të sotëm u kanë mbaruar idetë. Kur nuk kanë vizion, program dhe as ide se si ndërtohet shteti, ata kanë zgjedhur bllokadën.

Duke e shfrytëzuar pakënaqësinë e tyre ndaj popullit që nuk po i voton, ata e bllokojnë vendin dhe na çojnë në zgjedhje çdo katër muaj, ndërsa kapen pas emrave të të vdekurve duke menduar se ata do t’i shpëtojnë politikisht.

Prandaj fshihen pas simboleve për të mbuluar dështimet, hajnitë dhe papërgjegjësinë e tyre politike.

Për këtë arsye, në vend të projekteve dhe rezultateve, dëgjojmë vazhdimisht emra figurash historike. Në vend të programeve konkrete, na serviren mite politike. Në vend të përgjegjësisë për të tashmen, na ofrohen histori nga e kaluara.

O zuzarë, mësohuni nga Kurti se si bëhet politika pa u mbështetur në varre. Ai, me programin dhe vizionin e tij, arriti ta bindë një pjesë të madhe të popullit që ta përkrahë me votë, ndërsa ju, si opozitë, vazhdoni të mbaheni pas varreve dhe tri shkronjave UÇK.

Vjosa Osmani është një nga shembujt më të qartë të këtij fenomeni. Pas përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve politike me subjektet ku ka vepruar, ajo vazhdon ta përmendë Ibrahim Rugovën dhe UÇK-në, në vend që të paraqesë një vizion të qartë politik të sajin.

Në vend që trashëgimia e Ibrahim Rugovës të studiohet dhe të respektohet, ajo përdoret si kapital politik. Kështu, Rugova shndërrohet në një mjet retorik dhe jo në një figurë që analizohet seriozisht. Përmendja e vazhdueshme e emrit të tij shpesh përdoret si zëvendësim për argumentet dhe rezultatet.

E njëjta logjikë shihet edhe te PDK-ja. Sa herë hapen debate për korrupsionin, skandalet apo përgjegjësinë politike, në skenë dalin tri shkronjat UÇK. Askush nuk e mohon rëndësinë historike të UÇK-së, por përdorimi i saj si mburojë politike nuk i zgjidh problemet e së tashmes.

Politikanët duhet të gjykohen për atë që bëjnë sot, jo për emrat që përmendin. Ata duhet të maten me rezultatet, me programet dhe me aftësinë për të ndërtuar shtet, e jo me shfrytëzimin e figurave historike për interesa politike.

Kjo është edhe arsyeja pse shumë prej tyre e kanë humbur besimin e qytetarëve. LDK-ja, për më shumë se dy dekada, e përdori emrin e Rugovës si simbol politik, por shpesh dështoi ta ruante frymën dhe programin që ai përfaqësonte. Po të ishte ruajtur ai kurs politik, partia nuk do të ishte sot në betejë për mbijetesë politike.

Madje, edhe brenda familjes së Rugovës ka pasur vendime politike që kanë shkaktuar debat. Shumë kujtojnë rastin kur Ukë Rugova mbështeti koalicione dhe vendime që, sipas kritikëve, nuk përputheshin me rrugën politike të ndjekur nga Ibrahim Rugova.

Po ashtu, nuk duhet harruar se sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, ai kishte qëndrime të qarta ndaj shumë figurave politike që më vonë morën pushtetin. Pas vdekjes së tij, skena politike mori një drejtim krejt tjetër.

Përfundimisht, as Rugova dhe as UÇK-ja nuk mund të përdoren pafundësisht si oksigjen politik. Asnjë figurë historike nuk mund ta zëvendësojë mungesën e vizionit, të ideve dhe të rezultateve.

Politikanët që mbahen pas të vdekurve mbesin të vdekur politikisht. Shteti ndërtohet me ide, punë, përgjegjësi dhe rezultate, jo duke u fshehur pas emrave të së kaluarës.

Të Ngjashme