Kompania amerikane e teknologjisë Meta ka prezantuar një sistem të ri të inteligjencës artificiale të dedikuar për bizneset, i quajtur “Meta Business Agent”. Ai u prezantua në konferencën Conversations në Londër dhe synon të automatizojë aktivitetet e përditshme të kompanive.
Agjenti i ri mund të komunikojë me klientët, të caktojë takime, të përpunojë porosi dhe madje të ndihmojë në realizimin e shitjeve përmes aplikacioneve si WhatsApp, Messenger dhe Instagram.
Sipas Metës, më shumë se një milion biznese tashmë kanë përdorur versionet e mëparshme të chatbotëve të saj, ndërsa mjeti i ri do të jetë i disponueshëm për kompani të të gjitha madhësive në mbarë botën.
Agjenti mund t’u përgjigjet pyetjeve të klientëve, të ofrojë informacione për produkte dhe shërbime, të identifikojë klientë potencialë dhe t’ua kalojë punonjësve rastet më komplekse.
Njëkohësisht, Meta ka prezantuar edhe një platformë të re që u mundëson kompanive të ndërtojnë agjentët e tyre të inteligjencës artificiale dhe t’i lidhin me sisteme të tjera biznesi, përfshirë platformat e tregtisë elektronike dhe shërbimit ndaj klientit.
Ky hap shihet si përpjekja më e re e Metës për të konkurruar me kompanitë kryesore të inteligjencës artificiale në tregun e zgjidhjeve për bizneset.
