Ekonomisti, Safet Gërxhaliu ka komentuar rritjen e çmimeve të produkteve bazike dhe situatën me çmimet e naftës në Kosovë, duke vlerësuar se inflacioni po ndikon drejtpërdrejt në standardin e jetesës së qytetarëve.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Gërxhaliu ka thënë se është koha që ekonomia të depolitizohet, ndërsa më shumë mbështetje t’i kushtohet sektorit privat dhe prodhimit vendor.
Ai ka theksuar se niveli i inflacionit në Kosovë, i cili sipas tij është ndër më të lartët në Ballkanin Perëndimor, paraqet shqetësim serioz për qytetarët.
“Fakti që e kemi këtë shkallë të inflacionit, që është ndër më të mëdhatë në Ballkanin Perëndimor, është shqetësues. Ngritja e çmimeve të produkteve në tregun e Kosovës, që vjen si produkt i inflacionit të tillë, është një goditje direkte për standardin e jetesës së qytetarëve. Besoj që është koha kur duhet që ekonomia të depolitizohet dhe të mbështetet më shumë sektori privat dhe prodhimi”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai ka theksuar se, ndonëse qeveria nuk është përgjegjëse drejtpërdrejt për krijimin e inflacionit, ka përgjegjësi të ndërmarrë masa për t’i ndihmuar qytetarët në përballimin e kostos së jetesës.
“Qeveria nuk e prodhon inflacionin, është e vërtetë që ky është realitet, por qeveria mund të marrë masa se si të ndihmohet qytetari në kohën e inflacionit, sepse vërtet kostoja e jetesës në Kosovë është shumë e shtrenjtë”, është shprehur ai.
Gërxhaliu ka vënë në dukje se, ndryshe nga disa shtete të tjera të rajonit, në Kosovë nuk ka pasur rishikim të pagës minimale dhe asaj mesatare në raport me rritjen e inflacionit.
Sipas tij, kjo ka ndikuar në dobësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve, të cilën e ka cilësuar si ndër më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor.
“Ajo që e dallon Kosovën nga shtetet e tjera është se, ndonëse pothuajse të gjitha përballen me inflacion, Kosova ka një shkallë më të lartë të tij. Shtetet e tjera, krahas rritjes së inflacionit, kanë bërë analiza dhe kanë rishikuar pagën minimale dhe atë mesatare, ndërsa një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kosovë. Si rezultat, sot fuqia blerëse e qytetarëve në Kosovë është në nivelin më të ulët në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar Gërxhaliu./teve1.info/
