Miley Cyrus nuk është plotësisht e sigurt nëse dëshiron të bëhet nënë.
Në një intervistë me “W Magazine”, këngëtarja 31-vjeçare shprehu hapur pasigurinë e saj për të pasur fëmijë në të ardhmen.
“Jam 31 vjeçe dhe ende s’e di nëse dua fëmijë apo jo”, – pranoi ajo. – Ndihem sikur fansat janë fëmijët e mi në njëfarë mënyre.”
Mandej, aktorja e personazhit “Hannah Montana” iu referua kumbarës së saj dhe yllit ikonik të muzikës kantri Dolly Parton, 78 vjeçe.
“Kam dëgjuar edhe Dolly-n të thotë të njëjtën gjë, sepse nuk kishte fëmijë.”
Në një intervistë me “Elle” në vitin 2019, Cyrus u shpreh se nuk donte të kishte fëmijë në atë moment. Ajo donte të luftonte kundër pritshmërive të përgjithshme që gratë duhet t’i japin prioritet riprodhimit.
“Presin nga ne që të popullojmë planetin dhe kur nuk e kemi në plan ta bëjmë apo qëllim na paragjykojnë. Nëse nuk do të bësh fëmijë, njerëzit ndiejnë keqardhje për ty, sikur je e pashpirt. Pse na kanë mësuar që dashuria do të thotë të vendosësh veten në vend të dytë? Nëse e do veten, atëherë e vë në vend të parë.”
Cyrus tha se po përmbahej nga ideja për të pasur fëmijë derisa të ndodhin ndryshime të mëdha mjedisore. Ajo ka vendosur të presë derisa të sigurohet se fëmija i saj mund të jetojë në një mjedis më të shëndetshëm, para se ta mendojë që ta bëjë.