Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka mbërritur në Prishtinë, ku gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një sërë takimesh me krerët më të lartë të shtetit.
Sipas agjendës, në orën 10:00, ministri Hoxha do të pritet nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. Më pas, në orën 10:45, ai do të zhvillojë një takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Vizita zyrtare do të vijojë me takimin me Glauk Konjufcën, Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës.
Në orën 12:10, dy ministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të MEPJ.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Hoxha do të takohet gjithashtu me drejtues dhe përfaqësues të partive politike në Kosovë, mes tyre Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe Ardian Gjini, përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në kuadër të vizitës, ministri Hoxha do të zhvillojë edhe një takim në bazën e KFOR-it me Gjeneral-major Ozkan Ulutash, Komandant i KFOR-it, si dhe me pjesëtarët e kontingjentit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të angazhuar në kuadër të misionit të KFOR-it.
