Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë është shtyrë për më 17 nëntor, në orën 10:00, për shkak të mungesës së disa avokatëve.
Gjatë seancës, gjykata ka lexuar edhe një shkresë të dërguar nga Veliaj prej paraburgimit të Fierit, ku ai ka kundërshtuar transferimin nga paraburgimi i Tiranës drejt Fierit dhe ka ngritur pretendime për arsyet e këtij vendimi.
Në shkresën e tij, Veliaj pretendon se është transferuar pa u informuar paraprakisht dhe pa iu bërë e ditur destinacioni. Ai thotë se është larguar rreth 100 kilometra nga gjykata ku po zhvillohet procesi ndaj tij, si dhe nga bashkëshortja, dy fëmijët e mitur dhe nëna e tij pensioniste.
Në vijim, kryebashkiaku pretendon se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e ka vizituar pas transferimit dhe i ka thënë se ky veprim ishte bërë me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama.
“Siç jeni vënë në dijeni nga mediat ditët e fundit, unë jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi policësh pa më thënë se ku do më dërgonin, pa dijeninë time, 100 km larg gjykatës ku po gjykohem dhe larg gruas me dy fëmijë të mitur dhe nënës time pensioniste.
Toni Gogu më ka vizituar pas transferimit dhe më ka thënë që kjo ka ndodhur me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama. Më ka thënë që prokurorët ishin gati të shtonin akuza deri tek ajo e prishjes së rendit kushtetues. Kjo si ndëshkim që kam mbështetur protestën e flamingove dhe studentëve, por kjo është e vërtetë aq sa është i vërtetë kallëzimi i Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Kërkoj nga gjykata të marrë masat e duhura për ta verifikuar këtë që ka ndodhur”, thuhet në shkresën e Veliajt.
Nga ana tjetër, gjykata ka relatuar se administrata e burgjeve nuk e kishte vënë në dijeni për transferimin e Veliajt drejt Fierit.
Megjithatë, lidhur me pretendimin se transferimi është kryer me urdhër të kryeministrit Edi Rama, gjykata ka sqaruar se kjo çështje nuk është në kompetencën e saj dhe nuk përbën objekt të procesit gjyqësor në zhvillim. Sipas gjykatës, pretendimet e Veliajt duhet të ndiqen përmes rrugëve institucionale dhe të verifikohen nga organet kompetente.
