Lajme

Ministrja e Jashtme e Kosovës: S’kemi nevojë për shtim të forcave, e treguam më 24 shtator që i dalim për Zot vendit!

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një deklaratë për mediat ka theksuar se pa u ndëshkuar Serbia për sulmin kriminal të bërë më 24 shtator, nuk do të ketë rifillimim të dialogut.

E prerë ministrja tha se nëse vendit e BE-së e lënë Serbinë të kalojë pa konsekuenca nga një sulm armiqësor, atëhere qeveria e Kosovës e sheh të pamundur vazhdimin e bisedimeve. Sa i përket deklaratave të bëra së fundmi, lidhur me shtimin e forcave të KFOR në veri të Kosovës, ku edhe kryeministri Edi Rama propozoi diçka të tillë, Gërvalla tha se nuk kanë nevojë pasi në sulmin e fundit që Serbia i bëri e treguan qartë që janë të gatshëm për t’ i dalë për Zot vendit të tyre.

“Gjermania është një ndër shtyllat kryesore të mbështetjes së Kosovës. SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar janë të shqetësuar për ngjarjet në veri të Kosovës, ku jemi ballafaquar me një agresion të qartë. Të merren të gjitha masat e nevojshme që një gjë e tillë mos të përsëritet jo vetëm në Kosovë, por në asnjë vend sepse Serbia sillet si një mini Rusi e vogël. Duhet kuptuar mesazhi që na ka dërguar Serbia në 24 shtator prandaj duhet të merren të gjitha masat.  

Prioritet kryesor i institucioneve të Kosovës këto ditë është siguria. Ne duhet të sigurohemi që armatimi që kemi gjetur është armatim për më shumë se 400 persona. Ne kemi gjetur armë edhe në ditët në vijim, prandaj është e rëndësishme siguria. Sesi do të vazhdojë procesi i negociatave, varet nga reagimi i bashkësisë ndërkombëtare. Nëse ata e lanë Serbinë të kalojë pa konsekuenca nga një sulm armiqësor ne e shohim të pamundur vazhdimin e bisedimeve.  Duhet të ketë prioritet siguria, po them që procesi i dialogut nuk duhet të jetë sa për të bërë foto, por për sukses. Është e qartë që pa sanksionuar Serbinë nuk ka për të mësuar nga aktet e dhunës dhe pa e sanksionuar edhe qytetarët  e Serbisë do e kenë të vështirë që . Institucionet tona e kanë vërtetuar më 24 shtator që janë të gatshëm për ti dalë zot vendit  të tyre”, tha ministrja.

Më tej ajo kërkoi nga BE një proces të drejtë dhe duke akuzuar kështu edhe njëherë përfaqësuesit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell se kanë mbajtur qëndrim të njëanshëm në favor të Beogradit.

“Besimi ka humbur goxha me ndërmjetësuesin e tanishëm pasi është vërtetuar që procesi është i njëanshëm. Nuk jemi ne ata që ti tregojmë BE kë duhet ta mbajë dhe kë jo, ajo që ne i kërkojmë është një proces i drejtë dhe nëkëtë proces kërkojmë të merren iinteresat  të dyja palëve. Procesi të jetë i drejtë pasi vetëm kështu krijohen zgjidhje të mira dhe afatgjatë”, tha ajo.