Ministrja Kusari-Lila ka pritur në takim Jean-Christophe Favre, shef i Zhvillimit Ekonomik në Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC), Berat Thaqin, zyrtar i Programit Kombëtar nga Ambasada e Zvicrës, si dhe Kreshnik Kurtishin, menaxher i Projektit GPEK.
Ajo ka theksuar se gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të projektit GPEK (Generating Private Sector Employment in Kosovo), si dhe hapat e ardhshëm drejt arritjes së një marrëveshjeje finale.
Sipas ministres, Projekti GPEK, i udhëhequr nga SDC, synon të mbështesë kompanitë private në Kosovë në transformimin e veprimtarisë së tyre drejt praktikave të qëndrueshme dhe politikave miqësore me mjedisin (“green”).
“Shpreha gatishmërinë time që, përmes këtij projekti, të bashkëpunojmë drejt arritjes së objektivave dhe planeve të përbashkëta të Ministrisë që drejtoj (MINTI) dhe vetë projektit, duke theksuar rëndësinë e inovacionit si një nga fushat kyçe dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që projekte të tilla kanë në zhvillimin ekonomik të vendit”, është shprehur ministrja Kusari-Lila.
Ajo ka shtuar se rritja e përfshirjes së elementeve “green” synon që Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) në Kosovë të bëhen më konkurruese në tregun evropian, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e punësimit.
