Nga viti 2001, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur Ballkanin Perëndimor si emergjencë kombëtare.
Ky vendim, së fundmi është zgjatur sërish nga presidenti, Donald Trump, për shkak të gjendjes së sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Aty thuhet se veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim paraqesin kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.
“Bëhet fjalë në fakt për persona të cilët mund të jenë destabilizues të rajonit, ata vrojtohen, përcillen, shikohet aktiviteti i tyre, u vendosen sanksione të ndryshme dhe pikërisht kjo është një prej arsyeve pse ky ligj vazhdohet më tutje sikurse është tani rasti me z.Trump”, ka thënë Hysen Gecaj – kolonel në pension i FSK-së.
Ish-eprori i Policisë së Kosovës, Refki Morina, thotë se vendime të tilla nga SHBA-të, ndërmerren pas analizimit të hollësishëm të shumë faktorëve.
“Uashingtoni në bazë të analizave të saj ka vlerësua se rreziku i shteteve demokratike në Ballkanin Perëndimor mund të rrezikohet nga individët, grupet e ndryshme të cilat mund t’a cenojnë demokracinë në këto shtete. Gjithashtu kundër krimit të organizuar dhe formave të ndryshme të krimeve të ndryshme të cilat ndodhin, prandaj si masa të caktuara ligjore ka vazhdu procesin e tërësishëm ndaj shteteve dhe individëve dhe grupeve”, vlerëson Morina.
NATO së fundmi njoftoi se gjatë vitit të ardhshëm do bëjë përshtatje graduale të pranisë në Kosovë.
Kjo vlerësohet se është tregues për nivelin e sigurisë në Kosovë.
“Trupat e NATO-s të cilat janë prezent këtu apo që do të mbesin prezent pas këtij akomodimi apo rigrupimi të njësive të NATO-s në fakt janë ato që mundësojnë një ambient të qetë dhe të sigurt dhe në rast të ndonjë eskalimi të situatës sërish ka mundësi që këto trupa të rezistojnë apo kryejnë detyrat e tyre deri në ardhjen e njësive tjera përforcuese prej NATO-s”, thotë Gecaj.
Urdhri ekzekutiv për gjendjen në Ballkanin Perëndimor u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në gjithë rajonin
