ShowBizzz

Miss Japonia heq dorë nga kurora e saj! Akuzohet se është në një lidhje me një burrë të martuar

Një grua e lindur në Ukrainë, e cila fitoi titullin Miss Japonia, ka hequr dorë nga kurora e saj pas raportimeve se kishte një lidhje me një burrë të martuar. Karolina Shiino fitoi konkursin e bukurisë vetëm dy javë më parë, duke ndezur një debat publik në Japoni mbi prejardhjen e saj. Disa vlerësonin kurorëzimin e saj si një simbol të diversitetit, ndërsa të tjerë akuzuan konkurrencën për favorizimin e standardeve perëndimore të bukurisë. Në mes të polemikave, revista japoneze Shukan Bunshun botoi një artikull duke e akuzuar atë për një lidhje me një doktor të martuar.

Burri në fjalë ende nuk ka komentuar publikisht për akuzat, citon Sky News.

Shoqata Miss Japonia, në përgjigjen e saj ndaj raportit javën e kaluar, mbrojti Shiino duke thënë se ajo nuk kishte qenë në dijeni se burri ishte i martuar. Megjithatë, të hënën, organizatorët e konkursit thanë se ajo kishte rrëfyer se dinte për statusin martesor të burrit dhe kërkoi falje për mashtrimin e organizatës. Më pas ajo dha dorëheqjen nga kurora e saj. Shiino gjithashtu u kërkoi falje fansave të saj dhe publikut në një deklaratë, duke thënë se veprimet e saj ishin të motivuara nga frika dhe paniku në përgjigje të raportit.

“Më vjen vërtet keq për telashet e mëdha që kam shkaktuar dhe për tradhtinë e atyre që më mbështetën”, tha ajo.

Titulli i Miss Japonisë tashmë do të mbetet vakant për një vit deri në konkursin e radhës. Shiino fitoi konkursin më 22 janar, personi i parë me prejardhje evropiane që mori kurorën. Ajo ka lindur në Ukrainë përpara se të shpërngulej me nënën e saj në Japoni kur ishte pesë vjeç dhe të merrte mbiemrin e njerkut të saj japonez. Ajo flet rrjedhshëm gjuhën japoneze të folur dhe të shkruar dhe u bë qytetare e natyralizuar në vitin 2022.