Shëndetësi

Mjekja ngre alarmin, Gjilpërat e fillerit në duart e parukiereve si kallashi në duart e majmunit!

Mjekja e njohur  Ela Treko, ka ngritur shqetësimin për abuzimet me shërbimet mjekësore që kryhen nga persona të palicencuar, duke rrezikuar jetën e pacienteve që paguajnë këto shërbime.

Mjekja Treko ngre alarmin se institucionet kanë zgjedhur të jenë pasive përballë këtij fenomeni, që rrezikon jetë njerëzish, teksa nuk kursen as ironinë kur shprehet se Gjilpërat e fillerit në duart e parukiereve janë  si kallashi në duart e majmunit! Pak ditë më parë Syri Tv dhe emisioni Piranjat ngritën shqetësimin se shërbimet mjekësore estetike kryhen në parukeri dhe qendra masazhesh.

Statusi i plotë

Gjilpërat e fillerit në duart e parukiereve si kallashi në duart e majmunit!

Fillerat edhe botoxi janë kthyer në një trend, i përqafuar edhe nga të rinjtë dhe moshat e mesme, por abuzimi në emër të këtij trendi nuk ka të ndalur.

Është çmenduri të mendosh që fillera dhe botox injektohen nga persona të paliçensuar në parukeri dhe qendra estetike, duke rrezikuar seriozisht jetën e pacientëve, që nuk janë të informuar për pasojat e këtyre veprimeve.

Filleri, botoxi dhe shërbimet mjekësore  estetike  kërkojnë mjekë të liçensuar, e ti besosh gjilpërën në dorë një njeriu pa licensë për këto shërbime mjekësore, është sikur ti japësh automatikun në dorë një majmuni.

Mjekët dhe mediet e kanë ngritur alarmin për këtë fenomen, topi është në derën e instancave përkatëse, e në rast se nuk merren masa, pasojat mund të jenë të rënda.