Shëndetësi

Mjeku i njohur tregon rastin se kur nje diabetiku, eshte e mundur per tia hequr ilaçet

Diabeti është bërë kryefjalë edhe në Shqipëri tashmë!

Edhe pse raportimet në shifra në vendin tonë nuk janë të sakta, mund të themi që fatkeqësisht diabeti ka fituar terren.

Të gjithë kemi dëgjuar për këtë sëmundje, e shumë prej nesh, kanë të paktën një familjar apo të afërm të prekur.

Por, a është diabeti sëmundje kronike apo metabolike?

Mjekët, të cilët presin çdo ditë me dhjetëra pacientë, të cilët i ndihmojnë të marrin ilaçet e duhura në kohën e duhur janë të mendimit se kjo sëmundje është kronike!

E kundërta ndodh me shumë njerëz të tjerë jashtë kësaj fushe, të cilët përmes deklaratave publike kanë ngjallur shpresë tek diabetikët, të cilëve u thonë se përmes ushtrimeve fizike dhe një diete të mirëbalancuar mund të shëroheni pa ndihmën e ilaçeve.

Por, cilat janë faktet dhe vetëm ato mund të jenë kokëforta, duke të bërë të mendosh vetë dhe të dalësh në një përfundim, ku në fund të fundit është mirë që të vendosësh vetë se çfarë është më e mira për shëndetin tuaj, apo për shëndetin e të afërmit tuaj.

Në lidhje me këtë çështje, ne të gazetës “Super Shëndeti” kemi intervistuar Doktorin e Shkencave, mjekun e njohur endokrinolog, Dashamir Gjergji, i cili mbron idenë se diabeti mund të mbahet nën kontroll dhe vetëm mund të trajtohet, por jo kurohet.

Ai tregon se, në përvojën shumëvjeçare në këtë fushë ka patur rezultate pozitive, kur një të sëmuri me diabet i janë hequr ilaçet, për ta trajtuar me dietë, por kjo ka qenë një zgjidhje e përkohshme, pasi diabeti me sa duket është “kockë e fortë”.

“Plus” “minuset” e insulinës, si dhe çfarë duhet të bëni në rastet kur glicemia e ka kaluar vlerën 300? Ju ftojmë të lexoni intervistën ekskluzive…

Doktori endokrinolog, Dashamir Gjergji, një nga mjekët më të njohur në kryeqytet në lidhje me trajtimin e të sëmurëve me diabet na flet në lidhje me çështjen nëse diabeti mund të kurohet me ilaçe…

Doktor, po e nisim intervistën time me një pyetje, që ka të bëjë ndoshta me të ardhmen. Të gjithë e dimë tashmë se çfarë është diabeti, madje këtë si sëmundje e kemi marrë si të mirëqenë. Edhe ilaçet apo terapia që përdoret merret si e tillë. Shumë sëmundje, shekuj më parë merreshin të mirëqena, por ja që sot, ato që ishin vdekjeprurëse, janë fare të papërfillshme dhe mund të shërohen me një antibiotik. Po për diabetin, a ka ardhur koha që të mendojmë që pse jo mund të shërohet?
Keni plotësisht të drejtë, që shumë sëmundje apo grupe të caktuara sëmundjesh nuk janë më si më parë, shkaktarë të vdekjeve masive dhe të menjëhershme.

Kryesisht, kjo vlen për një pjesë të madhe të sëmundjeve infektive, që i dihet shkaktari dhe me shpikjen e antibiotikëve është bërë i mundur luftimi dhe kurimi i tyre.

Në fakt, edhe në këto raste duhet ta marrim në kuptimin relativ shërimin, sepse mjafton t’ju them që shumica e mikrobeve kanë evoluuar dhe janë bërë rezistent ndaj antibiotikëve.

S’duhet të harrojmë edhe diçka të rëndësishme, që me zhvillimin dhe urbanizimin e shoqërisë, ka ndryshuar edhe gama e sëmundshmërisë.

Në qoftë se në fillesat e njerëzimit kanë dominuar sëmundjet infektive dhe epidemitë, sot në botën moderne prevalojnë sëmundjet jo ngjitëse, siç janë diabeti i sheqerit, hipertensioni, depresioni, astma bronkiale etj.

Meqenëse më pyesni për diabetin, ju sqaroj se për momentin është sëmundje kronike që kurohet dhe nuk shërohet.

Cili është mendimi juaj i parë që ju vjen, kur shikoni njerëz, (të cilët nuk janë të fushës tuaj, por që i përkasin kryesisht fushave, që kanë lidhje me energjinë, mendimin, meditimin), që thonë se mund të shërojnë diabetin në pak kohë. Një i tillë ishte edhe Hetem Ramadani, në një nga daljet e tij publike? Ju i përkisni grupit të mjekëve që mbroni mjekësinë klasike. A nuk mendoni se ka ardhur koha, që të shikojmë drejt të ardhmes dhe të mos bëhemi kaq skeptikë, ndaj të rejave të shkencës?
Në formimin tim profesional prej afro 30 vjetësh dhe me një eksperiencë pune mbi 2 dekadash, jam ndeshur me qindra e mijëra raste diabetikësh të formave të ndryshme.

Nuk është çështja të jem strikt klasik, sipas pyetjes tuaj, por profesionisti i çdo lloj fushe merr formimin bazë të kohës kur formohet dhe me kalimin e viteve, përditëson njohuritë vazhdimisht në këtë drejtim.

Unë nuk di të kem “Bibël” tjetër orientuese në mjekësi, veç teksteve bazë boterore, protokolleve të diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve, dhe studimeve me decentë të momentit.

E ardhmja në mjekësi ka shekuj të tërë, që nuk i lihet rastësisë, por projektohet në modelet dhe përvojën më të mirë të brezave në vazhdimësi.

E ardhmja në mjekësi nuk mund të jetë pa orientim apo kaotike; ajo ka gjithmonë pika referimi që mbështeten, siç e shpjegova me lart në magazinën e vlerave historike, si dhe në pritshmëri të caktuara të zhvillimeve ekonomike dhe shkencore globale.

Ju thoni që nuk shërohet diabeti. Por, a është diabeti ekzaktësisisht sëmundja që shërohet, nëse ne mundim të ndalim urinë apo krijojmë gjendjen e ngopjes dhe të shpenzojmë po kaq energji sa e marrim përmes ushqimit? Nëse jo! Unë në një nga intervistat e mia të realizuara me mjekë endokrinologë, kam marrë një përgjigje: PO!
Në lidhje se çfarë mund të kenë sqaruar mjekë të tjerë unë nuk marr përsipër të komentoj kolegët, por ju sqaroj se diabeti i sheqerit është sëmundje e rëndë, kronike jo me një shkak të vetëm, por me dhjetëra shkaqe.

Përgjithësisht është sëmundje e moshës, që sa më shumë plakemi, aq me tepër rritet mundësia të prekemi nga diabeti.

Kontrolli i urise te qëniet njerëzore nuk është me një buton, por janë komponenetë kompleks, nervorë-hormonalë e më gjerë, që përcaktojnë oshilacionet e ndjesisë së urisë.

Shkaku më i shpeshtë te diabeti i tipit të 2 ose i të rriturve është mbipesha, por jo çdo njeri mbipeshë apo obez është diabetik?

E parë në këtë kontekst, është e kuptueshme që nuk mjafton vetëm kontrolli i dietës apo regjimi ushqimor, por rebusi është më kompleks?

Diabeti shërohet bashkë me by-pass që mund të bëhet në stomak, pra me operacionin bariatrik. A nuk është ky operacion veçse ngushtim stomaku dhe krijimin e gjendjes së ngopjes? Përderisa shërohet me ngushtim stomaku, atëherë ulja e ushqimit është zgjidhje përfundimtare?
By pass gastrik është një intervent kirurgjikal dhe si i tillë, mbart risqet e veta; si në aspektin e menaxhimit kirurgjikal, ashtu edhe në problematikat që mund të shfaqen më vonë si shkak i reduktimit apo i ndryshimit të strukturës anatomike të stomakut.

Shpjegimi bëhet për lexuesin, se nuk ka vetem një tip operacioni të stomakut në raste të tilla.

Këto lloj interventesh ne i këshillojmë vetëm, kur kanë dështuar në rezultat teknikat e tjeratë trajtimit diabetik, me aktivitet fizik dhe medikamentoz.

Në praktikën time klinike, kam shumë pak raste që kanë përfunduar në këtë intervent.

POR mund të them që kemi raste të tjera, që kur janë prekur nga diabeti kanë reaguar në mënyrë serioze me dietën dhe gjithë planin kurures dhe kemi patur “shërim” të përkohshëm të diabetit.

Normalizim të vlerave të sheqerit në gjak, pa përdorur medikamente kundra diabetit.

Insulina, është ndoshta ilaçi më i rëndësishëm që mban nën kontroll diabetin. Por, çfarë është në të vërtetë insulina, cila është përbërja e saj kimike, që ka një reagim kaq të fuqishëm në normalizimin e glicemisë?
Ne fakt, insulina nuk është thjesht një ilaç magjik, por insulina është vetë problem, por edhe vetë zgjidhja te diabetikët.

Pse e themi, që është vetë problem, sepse trupi jonë normalisht prodhon sasi të caktuara të insulinës që i duhen për të mbajtur nën kontroll vlerat e sheqerit në gjak dhe për ta djegur sheqerin në qeliza e për rrjedhojë, ne përftojmë energji.

Kur individi ka gene defektoze për prodhimin e insulinës apo edhe shumë elementëve të tjerë të lidhura me mirëfunksionimin e këtij hormoni, atëherë kemi prishje të peshores së sheqerit në organizëm.

Kjo mund të sjellë ose rënie të sheqerit në gjak kur insulina shtohet, apo diabet sheqeri kur insulina pakësohet ose është jo efektive në veprim.

Rastet kur insulina nuk vepron si duhet edhe kur mund të prodhohet normalisht, i përkasin më tepër njerëzve me mbipeshë dhe obezitet.

Këto gjendje të çrregullimit të peshës janë prekursore dhe foleja e “Diabetit”.

Sa më sipër, kuptojmë që te diabeti luan rol edhe faktori gjenetik apo trashëgimia, si dhe faktori ambiental apo jetësor.

Deri këtu shpjegimi është për fizilogjinë normale, ndërsa insulina si medikament s’është gjë tjetër vetëm prodhimi nëpërmjet laboratorëve i insulinës, i njëjtë ose i ngjashëm me insulinën e trupit tonë.

A është glicemia po kaq e rrezikshme sa vetë sheqeri, pasi kohët e fundit po dëgjojmë teori të tilla?
Glicemia dhe sheqeri në gjak janë e njëjta gjë.

Çdo gjë e ëmbël që merret nga jashtë nëpërmjet ushqimit thithet dhe konvertohet në sheqer në gjak, që në terma mjekësorë emërtohet ‘Glicemi’.

Për lexuesin e zakonshëm besoj është i mjaftueshëm ky sqarim.

PO, kur një diabetik i merr ilaçet sipas përshkrimit tuaj, por prapë glicemia është në gjendje të lartë, çfarë do të sugjeronit ju? Çfarë ndodh me këtë person në këtë rast?
Kjo pyetje kërkon përgjigje mjaft të gjatë, por në mënyrë të përmbledhur vlerësoj se suksesi i trajtimit te një diabetik konsiderohet, kur normalizojmë vlerat e sheqerit në gjak gjatë gjithë jetës, si dhe kur organizmi i diabetikut nuk preket nga komplikacione, apo dëmtime që sjell diabeti.

Sukses konsiderohet edhe kur këto komplikacione janë minimale, apo janë të shtyra në kohë.

Që suksesi të vijë duhen harmonizuar shumë faktorë së bashku, kryesisht niveli i mirë profesional i trupës mjekësore që trajton diabetin, si dhe përgjigja e të sëmurit ndaj kërkesave që mbart kjo sëmundje.

Trajtimi i diabetit është proces dhe nëse në një moment të caktuar gjërat nuk shkojnë mirë, duhet vlerësuar cili nga elementët e trajtimit s’ka funksionuar dhe më pas, duhet modifikuar dhe punuar mbi këtë element.

Por, nëse vlerat e sheqerit qëndrojnë për shumë kohë të larta, atëherë i sëmuri quhet i paekuilibruar në lidhje me sheqerin dhe herët a vonë do të ketë komplikacione në sy, veshka, zemër, tru, enët e gjakut, nerva e në çdo qelizë trupore.

Jo rrallë, diabetikët invalidizohen nga kjo sëmundje, apo kanë edhe reduktim të kualitet jetësor.

A ka në Shqipëri mjekë apo nutricionistë, të cilët të masin saktësisht ushqimin e duhur me sasinë e duhur, pra një dietë të mirëekuilibruar për ta “shtyrë” sa më gjatë një diabetik, që të marrë ilaçet e diabetit, që dihet që kanë efekte anësore?
Bëni mirë që jeni përqendruar me pyetje vetëm te dieta, por siç e shpjeguam dieta është vetëm një faktor apo armë në luftën kundër diabetit.

Sigurisht, që është armë e fuqishme, nëse praktikohet si duhet.

Çdo mjek specialist i diabetit i sqaron diabetikët për mënyrën e ushqyerjes, madje për të sëmurët e hospitalizuar bëhen trajnime të specifikuara në këtë drejtim.

Nuk kam një përgjigje se: A ka apo jo nutricionistë te ne, por besoj që në median e përditshme s’ka asnjë mundësi të gjesh ndonjë kanal televiziv që nuk jep receta gatimi, reklama për ushqime apo restorante e paharruar, edhe intervistat e dietologëve, enologëve, mercelogëve etj., për produkte të caktuara ushqimore.

Ndoshta shqetësues është fakti, sa të sakta janë informacionet, që marrin njerëzit nga mjedisi përreth, e për më tepër, nga moria e informacionit në internet.

Kur një diabetik ka dhënë shenjat e para, pra është paradiabetik, ju çfarë strategjie zgjidhni për ta trajtuar?
Çdo paradiabetik duhet të ketë trajtimin e duhur personal.

Gjithmonë, synohet që të mos kalojmë në diabet, apo ta vonojmë sa më shumë të jetë e mundur ardhjen e tij.

Zakonisht, paradiabeti duhet të trajtohet me dietë, aktivitet fizik dhe ndryshim të stilit të jetesës, ku sugjerohen reduktimi i kalorive dhe sheqernave dhe mbajtja nën kontroll e dietës.

Ka vende të ndryshme, që fillojnë mjekim në formë parandalimi, por kjo mbetet të vlerësohet për secilin rast më vete.

A është e vërtetë që ilaçet e diabetit ulin funksionin e pankreasit, për ta prodhuar insulinën normalisht vetë, pa stimulantë?
Edhe pse nuk e kuptoj drejt këtë pyetje, mendoj që çdo mjek i përgatitur i jep diabetikut barnat e duhura në kohën e duhur.

Vetë pankreasi, kur fillon diabeti, është i lodhur – ose nuk prodhon si duhet – ose hormone, që ai prodhon s’e bëjnë si duhet punën e tyre.

Nuk ka dilemë dhe nuk komentohet vendimi i një mjeku specialist rreth mjekimit.

Nëse një pacient me diabet ka një rritje të glicemisë në norma 300 apo 400 dhe rekomandimi i mjekut është një herë insulinë në ditë, çfarë duhet të bëjë në atë moment?
Sërish rasti që e shtroni si pyetje ka shumë të panjohura.

Psh sa është pesha e të sëmurit, sa kohë ka me diabet, çfarë mjekimesh po merr, a ka sëmundje të tjera, a lëviz dot etj, etj.

Ajo që mund të shtoj, është se vlerat 300 apo 400 mg/dl janë tepër të larta dhe i sëmuri nuk duhet të qëndroje në këto vlera.

Duhet të kërkoje menjëherë ndihmën e mjekut.

Ka media prestigjioze botërore, që kanë publikuar me dhjetëra dëshmi, ku njerëzit tregojnë se si e kanë shëruar diabetin. Pse mjekët kundërshtojnë kaq shumë, që mund të ketë mundësi shërimi?
Nuk kam informacione në këtë drejtim, di t’ju them që në vendin tonë çdo individ që ka provuar diçka të tillë është i lutur të shfaqet te ne, të na i bëjë të ditur, sepse nuk na vjen vetëm neve në ndihmë, por mbi të gjitha kjo eksperiencë mund të jetë e dobishme për diabetikë të tjerë.

Dhe pyetja e fundit, cilat janë zbulimet e fundit të shkencës në përmirësimin e jetës së një të prekuri nga diabeti? Dhe a besoni se askujt nuk i intereson të gjejnë kurën për diabetin, pasi industria farmaceutike botërore gjeneron miliarda nga kjo sëmundje?
Po e nis përgjigjen nga pjesa e fundit e pyetjes, unë dhe gjithë diabetologët e tjerë nëpër botë mjekojmë me barna.

Busulla orientuese jona është cilësia e mjekimit, sigurisht edhe kostoeficenca e tyre.

Fatmirësisht, barnat bazike të diabetit thuajse janë të rimbursushme nga shërbimet publike në të gjithë botën.

Sa i përket tregjeve farmaceutike mbetet për të marrë mendimin e specialistëve që merren në këtë drejtim.

Lidhur me zhvillimet e fundit në luftën kundër diabetit po punohet shumë në shpikjen dhe hedhjen në treg të molekulave të reja, po punohet shumë në drejtim të edukacionit të diabetikëve, po punohet shumë në parandalimin e diabetit dhe komplikacineve dhe më të rëndësishme për momentin janë avancimet në fushën e elektronikës, që u vijnë në ndihmë diabetikëve në monitorimin e vlerave të sheqerit dhe paramatrave të tjerë jetesorë të tyre.