Në një ditë pazari në Ferrara, rreth vitit 1502, gruaja e një tregtari u shfaq mes turmës me një fustan prej mëndafshi të kuq të thellë. Para se të mbaronte pasditja, një gjykatës kishte shënuar emrin e saj. E kuqja e ndezur nuk ishte ngjyra e saj. Jo ligjërisht. Jo në asnjë kuptim që kishte rëndësi në Italinë e Rilindjes, ku rrobat që mbaje veshur kontrolloheshin po aq rreptësisht sa dokumenti i pronës së shtëpisë.
Në të njëjtin pazar, turma do t’i hapej instinktivisht një gruaje krejt tjetër: Lukrecia Borxhia, e sapovendosur si dukesha e qytetit, e veshur me pëlhura që gruaja e tregtarit nuk do të mund t’i prekte ligjërisht, edhe sikur t’i kishte mundësitë financiare. Inventari i pajës së Lukrecias përfshinte pëlhurë të artë, kadife të kuqe të ndezur dhe damask vjollcë. Këto nuk ishin thjesht zgjedhje mode. Ishin një lloj dokumenti pronësie që vishej, qepur dhe ngjyrosur për të treguar saktësisht se ku qëndronte ai person në shoqëri.
Veshja e Rilindjes nuk ishte kurrë thjesht modë. Ajo ishte një deklaratë ligjërisht e detyruar për statusin shoqëror, dhe ligjet që e rregullonin, të njohura si ligje të luksit, ishin ndër ligjet më të hollësishme të shkruara ndonjëherë për veshjen.
Çfarë ishin në të vërtetë ligjet e luksit
Shtrirja e këtyre ligjeve të mahniste me hollësitë e tyre. Qytet-shtetet italiane rregullonin jo vetëm ngjyrat, por edhe trashësinë e pëlhurave, gjatësinë e lejuar të bordurave të qëndisura, numrin e unazave që një grua mund të mbante njëherësh dhe, në të paktën një rast të dokumentuar, numrin e kuajve që një vejushë mund të përdorte për të shkuar në funeralin e bashkëshortit të saj.
Arsyet ishin të ndryshme. Pjesërisht, këto ligje mbronin esnafët vendas të leshit dhe lirit nga importet luksoze. Pjesërisht, shërbenin si një mjet për ta bërë statusin shoqëror të dallueshëm, nëse pozita e dikujt kuptohej me një shikim, ruajtja e rendit bëhej më e lehtë. Dhe pjesërisht, siç tregojnë qartë regjistrat venecianë, ato ishin një burim jashtëzakonisht efikas të ardhurash.
Dënimet nuk ishin thjesht në letër. Gjobat ishin të zakonshme. Po ashtu edhe konfiskimi i veshjes që shkelte ligjin. Në disa vende, një gjykatës mund të ndalonte një grua në rrugë dhe t’i hiqte aty për aty jakën prej gëzofi të ndaluar nga shpatullat, një poshtërim i menduar pikërisht për të dhënë mesazhin.
Hierarkia e ngjyrave
Në majë të hierarkisë së ngjyrave të Rilindjes qëndronin vjollca dhe e kuqja e ndezur. E kuqja prodhohej nga kokrriza e kermesit, një insekt i vogël që mblidhej me punë të jashtëzakonshme. Të vishje këto ngjyra do të thoshte të tregoje se mund ta përballoje koston e tyre dhe vetë kjo ishte një shenjë statusi.
Poshtë së kuqes, hierarkia zbriste përmes blusë dhe jeshiles, të përdorura nga tregtarët e pasur, më pas te kafet dhe grisë të zbehta për zejtarët dhe, në fund, te leshi natyral i pangjyrosur për shërbëtorët dhe të varfrit e zonave rurale. Pozita shoqërore bëhej e dukshme pa qenë nevoja të thuhej asnjë fjalë. Lukrecialëvizte nëpër këtë spektër me sigurinë e dikujt që kishte edhe juristë në dispozicion, duke veshur pa asnjë pengesë blunë ediskutueshme të përzier me vjollcë, të quajtur pavonazzo, si një e drejtë që i takonte.
Si ndërtoheshin në të vërtetë rrobat
Nën çdo veshje të Rilindjes gjendej e njëjta bazë: liri pranë lëkurës, pothuajse pa përjashtim, sepse lahej lehtë në një epokë kur veshjet e jashtme pothuajse nuk laheshin kurrë. Edhe zonjat e oborrit të Lukrecias mbanin këmisha prej liri, demokracia e padukshme nën hierarkinë e dukshme.
Ajo që ndryshonte në mënyrë të jashtëzakonshme sipas statusit ishte gjithçka që vendosej mbi këtë bazë. Veshjet ndërtoheshin me pjesë që mund të hiqeshin, mëngët, busti dhe fundi shpesh lidheshin me lidhëse në vend që të qepeshin përgjithmonë bashkë, duke bërë të mundur kombinimin e pjesëve të ndryshme dhe krijimin e një larmie më të madhe në pamjen e garderobës. Për gratë e rangut të lartë, busti përforcohej për të krijuar trungun karakteristik të lëmuar e konik, që zgjerohej drejt një fundi të gjerë. Çdo element shprehte një paraqitje të menduar me kujdes, dhe jo thjesht rehati.
Boshllëqet në ligj dhe gara e pafundme
Pothuajse menjëherë pas miratimit të çdo ligji, të pasurit gjenin mënyra për ta anashkaluar atë. Prerjet dekorative në mëngë, që zbulonin astarin me ngjyrë tjetër, teknikisht krijonin dy veshje dhe shmangnin rregullat që zbatoheshin për fustanet me një shtresë. Ligjvënësit shkruanin ligje të reja. Rrobaqepësit gjenin mënyra të reja. Juristët hartonin argumente të reja.
Zyrtarët venecianë të ngarkuar me zbatimin e kodeve të veshjes,Provveditori alle Pompe, ose “Mbikëqyrësit e luksit”, mblidhnin gjoba të konsiderueshme. Ligjet funksiononin pjesërisht si një taksë mbi luksin dhe jo si një ndalim i vërtetë. Nëse mund ta përballoje gjobën, mund ta përballoje edhe pëlhurën. Ndoshta ky ishte rezultati më tipik i mundshëm për Rilindjen.
Pse u shemb sistemi
Nga fundi i shekullit XVI, i gjithë sistemi kishte nisur të shpërbëhej. Pasuria në rritje e tregtarëve, rrugët e reja të tregtisë globale dhe ngjyruesit e rinj nga Amerika minuan një sistem të ndërtuar mbi idenë se ngjyra mund të shërbente si pengesë ekonomike.
E kuqja e ndezur, që dikur dëshmonte pasurinë, u bë shumë më e arritshme. Anglia shfuqizoi ligjet e saj të luksit në vitin 1604. Qytet-shtetet italiane kishin filluar tashmë të mos i ndiqnin penalisht shkeljet.
Ideja se një copë pëlhure e kuqe e ndezur mund t’i rezervohej ligjërisht vetëm një klase të caktuar njerëzish kërkonte një shoqëri të gatshme ta shihte pasurinë si shenjë të rangut dhe jo thjesht si para. Gradualisht dhe me shumë vështirësi, ajo pushoi së qeni një shoqëri e tillë.
Lukrecia Borxhia vdiq në vitin 1519, ndërsa garderoba e saj u regjistrua në dokumentet e oborrit të Esteve edhe shumë kohë pas vdekjes. Ky dokument ngjan më pak me një inventar shtëpiak dhe më shumë me një hartë të koduar me ngjyra, që tregon saktësisht se sa pushtet i lejohej ligjërisht një gruaje të mbante mbi trup. Në një botë ku pëlhura ishte ligj, garderoba e saj ishte në vetvete një lloj biografie. / History Collection – Syri.net
