Pas vitesh përdorimi të modeleve “gjithëpërfshirëse” për t’i bërë qejfin turmës woke, reklamuesit e kanë kuptuar se njerëzit tërhiqen nga njerëzit tërheqës.
Nga Michael Deacon – The Telegraph
Në një seri të re reklamash për Calvin Klein, Sadie Sink, aktorja 24-vjeçare e Hollivudit, e njohur më së shumti për serialin Stranger Things, shfaqet duke pozuar vetëm me xhinse dhe reçipeta. Arsyeja pse e përmend këtë, ju premtoj, nuk është sepse jam ndonjë plak pervers. Është sepse besoj se këto reklama kanë diçka politikisht shumë domethënëse.
Me pak fjalë, gruaja në to është e bukur.
Kur isha i ri, pak njerëz do ta kishin konsideruar “Grua tërheqëse punësohet si modele në një fushatë reklamash” si lajm të faqes së parë. (Jo se kjo do t’i kishte penguar domosdoshmërisht gazetat të vendosnin fotot përkatëse në faqen e parë, por e kuptoni çfarë dua të them.) Megjithatë, disa vite më parë ndodhi diçka e çuditshme. Markat e mëdha të modës dhe bukurisë nisën t’i mbushnin reklamat e tyre me njerëz që, le ta themi kështu, ishin më pak tërheqës sipas standardeve tradicionale.
Të marrim si shembull vetë Calvin Klein. Në vitin 2019, publikoi një fushatë në tabela reklamuese, ku xhinset e tij reklamoheshin nga një grua që ishte padyshim, sipas eufemizmit të preferuar nga revistat e grave, “plus-size”. Ose, siç e përshkroi një komentues disi më pak dashamirës: “obeze në mënyrë rrëqethëse”.
Më pas, në vitin 2023, Calvin Klein publikoi një reklamë ku një reçipetë sportive modelohej nga një burrë transgjinor (me fjalë të tjera, një femër biologjike). Ky burrë transgjinor ishte gjithashtu “plus-size”. Dhe kishte një mjekër po aq të madhe sa ajo e Brian Blessed.
Tani, ju lutem, mos më keqkuptoni. Nuk kam asgjë kundër njerëzve që shfaqeshin në këto reklama. Kritika ime është ndaj reklamuesve që i zgjodhën. Sipas meje, ata po përpiqeshin në mënyrë të tepruar të tregonin se sa “të mirë” dhe “të përparuar” ishin. Sigurisht, ata do të thoshin se thjesht donin të ishin “gjithëpërfshirës” dhe të promovonin idenë se njerëzit duhet ta pranojnë trupin e tyre. Por këtë shpjegim do ta besonte vetëm dikush shumë naiv.
Krejt hapur, gjithçka kishte të bënte me politikën. Markat e mëdha ishin të dëshpëruara të tregonin se ishin plotësisht në linjë me të gjitha diktatet ideologjike të epokës woke. Pra, në thelb, mesazhi i reklamave të tilla ishte: “Nuk janë vetëm rrobat tona që janë në modë. Janë edhe opinionet tona.”

Gjithsesi, aq shumë reklamues nisën të na impononin këtë lloj vetëpromovimi progresist, saqë shumë shpejt u bë jashtëzakonisht i lodhshëm. Por, të jemi të sinqertë, edhe i neveritshëm. Ne konsumatorët, më vjen keq ta them, nuk priremi të jemi aq “gjithëpërfshirës” sa pretendonin këto marka. S’besoj se do të më duhej të porosisja një sondazh të thelluar nga You Gov për të konfirmuar se shumica e njerëzve të zakonshëm, po të kishin mundësi të zgjidhnin, do të preferonin t’i shihnin rrobat të reklamuara nga njerëz të bukur. Sepse, dhe shpresoj që kjo të mos tingëllojë shumë e diskutueshme, njerëzit e bukur janë më të këndshëm për t’u parë se ata që nuk janë.
Dhe para se ta thotëdikush, jo, nuk jam seksist. E njëjta gjë vlen edhe për modelet meshkuj. Nëse shfletoj revistën GQ, a dua t’i shoh tendencat e modës së këtij sezoni të prezantuara nga burra që duken tamam si unë? Jo, absolutisht që jo. Sepse atëherë do të mendoja: “O Zot, shiko atë humbamenon e shëndoshë, të zbehtë dhe në moshë të mesme. Në asnjë mënyrë nuk do ta blej atë kostum që ka veshur ia. Dua rroba që të më pengojnë të dukem si një humbamenoi shëndoshë, i zbehtë dhe në moshë të mesme. Mirë, është e mundur që rroba të tilla të mos ekzistojnë. Por, në kini Zot, përdorni një model që është elegant e i pashëm, që të paktën për një çast të mund ta mashtroj veten se edhe unë do të dukem elegant e i pashëm.”
Dhe kjo është arsyeja pse them se reklamat e reja të Calvin Klein me Sadie Sink janë në fakt mjaft domethënëse. Thjesht, ato sugjerojnë se, të paktën në botën e modës, “woke”-izmi moralizues i dekadës së fundit po tërhiqet. Më në fund, duket se markat e mëdha e kanë kuptuar se ne, konsumatorët, nuk duam të na trajtojnë me përçmim apo të na mbajnë leksione. As nuk duam që bizneset të na çajnë kokën me “vlerat” e tyre gjoja progresiste.
Ne thjesht duam që të na shesin gjëra që do të na bëjnë të dukemi mirë, faleminderit shumë. Dhe, edhe nëse nuk kemi ndërmend të blejmë diçka prej tyre, do të preferonim që reklamat e tyre të mos na bënin të stepeshim fizikisht.

Në rast se ka ende ndonjë markë që nuk e ka kuptuar këtë të vërtetë, ndoshta të papërshtatshme për të, duhet të marrë parasysh rastin e një tjetër aktoreje të re të Hollivudit. Sydney Sweeney ka linjën e saj të të brendshmeve, të quajtur SYRN. Dhe çdo reklamë e saj bëhet virale në rrjetet sociale, thjesht sepse a) ajo shfaqet në to dhe b) askush nuk mund të shohë një video të Sydney Sweeney-it me çorape dhe llastiqe dhe të mendojë: “Oh, jo. Përsëri një tjetër përpjekje e turpshme për t’i bërë qejfin turmës woke.”
E çuditshme, apo jo? Njerëzit tërhiqen nga njerëzit tërheqës. Kush e mendonte? /Telegraph – Syri.net
