Mite të ndryshme mbi dashurinë për vite me radhë na kanë bërë të besojmë se nëse nuk do të kemi gjysmën tjetër më të mirë në jetë, do të ndihemi të paplotë! Por, në vend të kësaj teorie, ne duhet të mësojmë më parë si të duam veten dhe vetëm atëherë do të jemi në gjendje të tërheqim burrin apo gruan që na plotëson deri në fund të jetës.
“Shpesh e ngatërrojmë dashurinë me ndjesi të tjera, si pëlqimi, pasioni apo varësia emocionale,” shpjegon Ana Maria Sepe, psikologe. Si mund ta dallojmë dashurinë e shëndetshme nga varësia emocionale? Kjo e fundit i ka rrënjët që në fëmijëri, nis me figurat qendrore në jetën e të vegjëlve, që janë nëna dhe babai. Fëmija zhvillon një lloj lidhjeje, e cila më pas shërben si model për ndërtimin e të gjithë raporteve që vijnë në jetë.
Të duash në mënyrë të shëndetshme do të thotë të nisesh nga një njohje e vetvetes, e cila çon në zgjedhjen e tjetrit si vlerë të shtuar dhe jo si person që mbush zbrazëtinë tuaj. Të duash veten do të thotë të pranosh se kush je, me forcat dhe kufizimet e tua dhe të mos pranosh asgjë që nuk është reciproke. Në momentin që jemi të vetëdijshëm se kush jemi dhe çfarë duam, mund të jemi në gjendje të japim dashuri, pa pasur nevojë të marrim diçka në këmbim.
Ja tri shenjat që tregojnë se keni ose jo varësi emocionale ndaj partnerit/es:
#1 Nëse jeni i/e varur, kontrolloni vazhdimisht tjetrin
Ata që janë të varur kanë njëherësh edhe një qëndrim manipulues dhe janë gati të bëjnë gjithçka që munden për të kontrolluar tjetrin/ën pa i lënë hapësirë për manovrim. Ndërsa, dashuri do të thotë dhënie emocionesh pa pritur asgjë në këmbim.
#2 Nëse jeni të varur, ndiheni si i/e burgosuri i marrëdhënies
Dikush që dashuron në mënyrë të shëndetshme shprehet lirisht në çdo situatë dhe partnerët inkurajojnë njëri-tjetrin për qëllimet, ëndrrat dhe projektet. Në situatat e varësisë emocionale, njëri nga partnerët kërkon që tjetri të shkojë deri në mohimin e vetes, duke hequr dorë nga liria e tij/saj në emër të dashurisë së supozuar.
#3 Nëse jeni të varur, ju vuani
Në varësinë emocionale, e vetmja gjë që ka rëndësi është mbushja e zbrazëtisë shpirtërore me çdo kusht dhe vetmia kthehet në një demon për të luftuar çdokënd që vjen në jetë. Ndërsa, dashuria e shëndetshme maturohet me kalimin e kohës: pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe debateve, çifti bashkëpunon për të mirën e përbashkët të dy partnerëve.