ShowBizzz

Mosha, arma që u kthye në boomerang

Duke pasur në menaxhim një kandidat karizmatik, me shumë ndjekës i cili, megjithatë, fokusohet në një retorikë që sheh tërësisht nga e kaluara, nuk shkëlqen me aftësitë administrative dhe nuk i pëlqen të flasë për programe, Chris LaCivita dhe Susie Wiles , strategët e vërtetë të Donald Trump-it, e kishin ndërtuar fushatën presidenciale si një betejë të mbijetesës politike midis Trump-it dhe Biden-it, dhe jo si një sfidë të bazuar në kapacitetet e tyre qeverisëse.

Tërheqja e Biden-it nuk ishte sigurisht një rrufe në qiell të hapur, por ekipi i Trump-it, i cili e kishte menduar këtë mundësi në pranverë, duke filluar të studionte dobësitë e kandidatëve të tjerë të mundshëm demokratë, ishte i bindur se dritarja për ndryshimin e dyshes kandiduese nga partia demokratike, ishte e destinuar të përfundonte me debatin televiziv të 27 qershorit.

Tani në Mar-a-Lago ata duhet të ribëjnë nga e para një fushatë që ishte optimizuar duke luajtur me pleqërinë e një presidenti demokrat, në vështirësi të dukshme.

Në krahasim me të Trump-i, jo pa probleme, por më energjik, dukej shumë më i ri. Prandaj, siç vë në dukje edhe Anne Applebaum në The Atlantic, pamë një konventë republikane të fokusuar tërësisht tek forca: nga performanca muskulare e Hulk Hogan deri te energjia e Kid Rock. “Lufto! Lufto! Lufto!” përsëritej deri në obsesion përballë Trumpit me grushtin e ngritur, ndërkohë që në ekranet gjigante vërshonin imazhet e reagimit të tij pas atentatit.

Ndikimi i atyre fotografive mbetet, tani është një faqe në historinë amerikane, por, pas tërheqjes së Biden-it, imazhi i Trump-it ndryshon: është më i moshuari tashmë. Një lider që mban fjalime gjithnjë e më të përsëritura, gjithnjë e më të fokusuara tek vetja. Tani që presidenti është tërhequr, është radha e Trumpit-it që të vihet në shënjestër të kritikave për gafa dhe fraza të pakuptueshme: ndonjëherë ai humbet fillin e fjalimit ose bën komente dukshëm të pakuptimta.

Ndodh prej kohësh, por deri dje në qendër të vëmendjes ishin gafat e Biden-it. Tani zhvendosen tek The Donald dhe gjithçka bën lajm: nga ngatërrimi i emrave, deri tek vështirësia për të lexuar tekstin në teleprompter.

Në një vend që është ende më i freskëti dhe më dinamiku në Perëndim, me një klasë sipërmarrësish relativisht të rinj dhe moshë mesatare në rënie të miliarderëve falë motorrit të ekonomisë dixhitale, tërheqja e atij që revista The Economist e kishte quajtur Presidenti Lear (duke iu referuar tragjedisë së mbretit të moshuar shekspirian) është shenja e mbërritjes në një pikë pa kthim, për çmontimin e gerontokracisë që ka dominuar deri tani politikën e kësaj fuqie botërore: jo vetëm Biden dhe Trump, por edhe 83-vjeçarja Pelosi, e cila ia dorëzoi udhëheqjen demokrate të Kongresit Hakeem Jeffries, një 50-vjeçari; Joe Manchin, senatori 76-vjeçar që ka mbajtur prej kohësh nën kontroll të majtën e Sanders-it, i cili nuk kandidon më, ndërsa vetë Bernie tani është vendosur në rolin e “babait fisnik” të liberalëve. Në të djathtë, ndërkohë, kreu i senatorëve, Mitch McConnell (82 vjeç), ka dalë në fund të rreshtit.

Mbetet vetëm Trump-i. Fansat e tij, të cilët e adhurojnë, nuk i kushtojnë rëndësi moshës dhe frazave konfuze. Por ato nuk mjaftojnë për të garantuar zgjedhjen e tij. Me Biden-in, njerëzit e tij e konsideruan të garantuar presidencën. Ata madje parashikuan një fitore dërrmuese me marrjen e mundshme të shteteve deri tani demokrate, nga Minesota në Virxhinia.

Trump-i i lejoi “luksin” të zgjidhte një ultra të djathtë si zëvendës, në vend të një figure më të moderuar, e cila do e ndihmonte të merrte vota mes centristëve. Tani kjo zgjedhje ka filluar të duket si një gabim. Por ai e minimizon: “Harris do të jetë më e lehtë për t’u mundur se Biden-i, ajo është shumë më radikale se ai”, deklaroi Trump-i dje, duke thënë se ishte i gatshëm “të merrte pjesë në më shumë se një debat” me të. / Corriere della Sera – Bota.al