Lajme

Moslirimi i Thaçit me kusht – avokatët thonë se është diskriminuese që Thaçit nuk iu pranua oferta për dorëzani

50 mijë euro është shuma e ofruar si dorëzani.

Familjarë të ish presidentit Hashim Thaçi, ofruan këtë shumë parash si garancë për lirim me kusht.

Por as kjo shumë nuk e bindi Gjykatën Speciale që në rastin për pengim të drejtësisë, t’ia mundësojë Thaçit lirimin me kusht.

Kësisoj, Thaçit iu është vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masa e paraburgimit, me arsyetimin se mund të ndikojë në dëshmitarë dhe të kryejë vepra tjera të ngjajshme penale.

“Vlerësoj se një vendim i tillë është i natyrës diskriminuese, për faktin se kur kihet parasysh se për gjithë personat e tjerë që kanë status të njëjtë në procedurë tashmë janë në liri, përkatësisht kanë masa të tjera në raport me paraburgimin”, ka thënë avokati, Ardian Bajraktari.

Madje edhe arsyetimi i Gjykatës për vazhdim të paraburgimit, vlerësohet si i paqëndrueshëm.

“Edhe arsyetimi i Gjykatës në lidhje me vazhdimin e masës së paraburgimit është i përgjithësuar, nuk është i qëndrueshëm në aspektin juridik dhe faktik. Procedurat kanë marrë rrjedhën e vet, të gjithë dëshmitarët dhe provat janë siguruar më parë. Përpos kësaj, Thaçi gjendet për një periudhë shumë të gjatë në paraburgim, ashtu që kushti kryesor që duhet të plotësohet nuk arsyetohet në këtë aktvendim”, u shpreh Osaj.

Katër të akuzuarve të tjerë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj, Gjykata ua ka pranuar dorëzaninë e ofruar dhe po mbrohen në liri, kurse Hajredin Kuçi që nga fillimi i procesit është mbrojtur në liri.

Të Ngjashme