Lajme

MPJD sqaron mungesën e Kosovës në Samitin e NATO-s: Nuk jemi anëtar

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas raportimeve në disa media lidhur me mospjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e NATO-s, duke sqaruar se kjo ndodh për shkak të statusit të saj aktual ndërkombëtar.

Në njoftim theksohet se Republika e Kosovës nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës, pasi nuk është anëtare e Aleancës Veri-Atlantike dhe nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe.

Sipas MPJD-së, Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare, ndërsa në raste të veçanta ftohen edhe partnerë të organizatës, varësisht nga agjenda e samitit.

Ministria sqaroi gjithashtu se në samitin e radhës janë ftuar disa vende partnere nga rajoni Indo-Paqësor, si dhe Ukraina, por Kosova deri më tani nuk ka qenë pjesë e listës së shteteve pjesëmarrëse në këtë format.

MPJD kujtoi se në të kaluarën, përfaqësimi i Kosovës në aktivitete të lidhura me Samitin e NATO-s ka qenë vetëm në kuadër të ngjarjeve anësore, të organizuara nga partnerë ndërkombëtarë, dhe jo në vetë punimet e samitit.

Në fund të reagimit, Ministria rithekson përkushtimin e Kosovës për forcimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe për avancimin e synimit strategjik për anëtarësim të plotë në Aleancë.

Të Ngjashme