Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca dëgjimore në rastin ku këngëtari Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, akuzohet për tri vepra penale “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Shkak i dështimit tu kësaj seance ka qenë mungesa e të akuzuarit.
Mbrojtësi i Kelmendit, avokati Burim Azemi tha se përmes mesazhit, këngëtari e ka njoftuar se nuk mund të jetë i pranishëm në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Rrethanat a janë objektive apo subjektive nuk i di për momentin, mirëpo më ka tregu që e ka të pamundur me prezantu sot”, tha Azemi.
Ai shtoi se nuk ka pasur komunikim tjetër me të akuzuarin, duke theksuar se Gjesti ka qenë në Shqipëri për një koncert.
Prezent në seancë ishte edhe prokurori Malart Kuçi. Ndërkaq, përveç Kelmendit mungoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Erkand Shabani, avokati Besnik Berisha.
Gjykata konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës dëgjimore.
Gjykatësja Edita Canta bëri të ditur se në rast se i akuzuari nuk paraqitet në seancën e radhës, Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 mars 2026 njoftoi se këngëtari Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, andaj me kërkesë të prokurorit, atij iu ndërpe masa e paraburgimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 24 mars 2026, Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, akuzohet se më 11 mars 2026, rreth orës 14:50 në Prishtinë, në zyrat e studios “Onima”, me qëllim që të dëmtuarit Erkand Shabani t’i ngjallë ndjenjën e frikës, e kanos për shkak të një borxhi paraprak.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri shkoi në zyrat e të dëmtuarit dhe me një pistoletë të cilën e mbante në dorë, i drejtohet stafit me fjalët “ku o se kam me vra” (duke nënkuptuar për të dëmtuarin Shabani), e më pas ky i fundit lajmërohet nga stafi. Me këtë rast, të dëmtuarit i ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.4 lidhur me par.2 të Kodit Penal.
Gjithashtu, me datë, kohë dhe vendin e njëjtë si në dispozitivin e parë, i pandehuri Kelmendi akuzohet se me dashje, dhe me qëllim që të dëmtuarit Shabani t’i shkaktojë dëm material, pasi shkon në zyrat e “Onimas”, fillimisht e kërkon të dëmtuarin, mirëpo nuk e gjen aty e më pas në shenjë revolte lidhur me një mosmarrëveshje për pagesat e borxhit, i pandehuri i dëmton një kompjuter, dhe dy xhamat e studios, duke shkaktuar dëm material.
Me këto veprime, Kelmendi ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321, par.1 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në të njëjtën datë, Kelmendi ngarkohet se mbajti në posedim armë në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pasi kur kishte hyrë në studion “Onima” kishte në posedim pistoletën me një karikator dhe 14 fishekë, pa leje përkatëse na organi kompetent. Arma i është sekuestruar nga Policia.
Me këtë, akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
