Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nëse kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pranon ofertën për votimin e presidentit, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Lumir Abdixhiku, mund të angazhohen për ta bindur Bekim Sejdiun që të rikthehet në garë për president.
Murati ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke kritikuar mediat që, sipas tij, janë nxituar ta raportojnë tërheqjen e Sejdiut nga gara për president.
“Disa media u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e Prof. Bekim Sejdiut për President të Republikës, në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ofertën e re të Kryeministrit Kurti”, ka shkruar Murati.
Ai ka përmendur edhe ofertën që, sipas tij, i është bërë PDK-së, duke thënë se edhe nëse vetëm gjysma e grupit parlamentar të kësaj partie do të votonte kundër Sejdiut, deputetët e Vetëvendosjes do t’i mbështesnin ndryshimet për Gjykatën Speciale në lexim të dytë.
“Edhe me vetëm gjysmën e grupit parlamentar të PDK-së që e votojnë qoftë edhe kundër Bekim Sejdiun për President, ne i japim votat tona për Projektligjin mbi Gjykatën Speciale në lexim të dytë!”, ka shkruar Murati.
Në fund, Murati u ka bërë thirrje gazetarëve që, fillimisht, të kërkojnë qëndrimin e kreut të PDK-së.
“Të dashur gazetarë, pyeteni së pari Hamzën. Le të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja”, ka deklaruar Murati.
