Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se për katër vite gjatë Qeverisë Kurti, shuma e pagave të paguar në ekonominë e vendit është shtuar për 1 miliardë euro.
Murati tha se rritja më e madhe brenda një viti ka ndodhur në vitin 2023, ku sipas tij janë shtuar 450 milionë euro më shumë paga se në vitin 2022.
Më tej, ai i ka krahasuar qeveritë e kaluara, duke thënë se për t`u shtuar 1 miliardë euro janë nevojitur 10 vite, dhe 4 qeveri së bashku.
Postimi i tij i plotë:
A e keni ditur se sa është shuma e pagave që paguhen brenda një viti në ekonominë e Kosovës, përfshirë sektorin publik dhe atë privat?
Nëse e shohim paraqitur nëpër vite në grafikonin më poshtë, vërehet se:
Për 4 vite gjatë Qeverisë Kurti shuma e pagave të paguara në ekonominë e vendit është shtuar për 1 miliardë euro. Nëse e krahasojmë me qeveritë e kaluara, për t’u shtuar 1 miliardë euro nevojiteshin 10 vite, dhe 4 qeveri së bashku.
Rritja më e madhe brenda një viti ka ndodhur në vitin 2023, ku janë shtuar 450 milionë euro më shumë paga sesa viti 2022. Nga kjo shumë, rreth 114 milionë euro (17% rritje) janë shtuar nga rritja e pagave në sektorin publik si rezultat i hyrjes në fuqi të ligjit të pagave, kurse pjesa tjeter e rritje vjen nga sektori privat, kryesisht nga shtimi i vendeve të punës por edhe rritja e pagave për ato ekzistuese./teve1.info/