Lajme

Nagavci i bën thirrje PDK-së dhe LDK-së që të marrin pjesë në seancën e së dielës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur për media pas ndërprerjes për herë të dytë të seancës konstituive të Kuvendit, ku po tentohet zgjedhja e nënkryetarëve.

Nagavci ka thënë se, pavarësisht përpjekjeve të LVV-së për ta përfunduar konstituimin e Kuvendit, sipas saj, PDK-ja dhe më pas LDK-ja kanë hequr dorë nga pjesëmarrja në proces.

Ajo u ka bërë thirrje deputetëve që të jenë të pranishëm në vazhdimin e seancës, të caktuar për të dielën në orën 10:00.

“Ish dëshmitarë të gjithë se, përkundër synimit dhe përpjekjes tonë që ta konstituojmë Kuvendin, përkundër deklaratave të mëhershme që i kemi dëgjuar nga partitë e tjera, që insistonin që sa më parë të konstituohet Kuvendi, sot patëm një heqje dorë, në radhë të parë nga PDK-ja, të cilët hoqën dorë nga e drejta e tyre për propozim të nënkryetarit pas dështimit të votimit të z. Çitaku dhe pastaj edhe largimit të LDK-së. Përkundër kësaj, shfrytëzojmë këtë mundësi që të bëjmë thirrje që të dielën në orën 10:00, ashtu siç e ftoi vazhdimin e seancës kryetarja e Kuvendit, Haxhiu, të jenë të pranishëm edhe të bëjnë propozimet e tyre dhe, përgjegjësisht, LDK-ja të marrë pjesë në votimin e kandidatëve për nënkryetarë”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka theksuar se LVV-ja mbetet e interesuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të përfundojë sa më shpejt.

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për të dielën në orën 10:00.

Të Ngjashme