Lajme

Nagavci: Të hënën votohet formimi i komisioneve, pajtueshmëri edhe për deklaratën për Specialen

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Nagavci ka bërë të ditur se në seancën e së hënës, përveç betimit të deputetëve të rinj, pritet të votohet edhe formimi i komisioneve parlamentare.

Sipas saj, kjo do t’i hapë rrugë fillimit të punës së Kuvendit.

“Një pikë e rendit të ditës, përveç betimit të deputetëve, do të jetë edhe votimi i komisioneve parlamentare që e hap rrugën për punën e Kuvendit”, tha Nagavci.

Ajo ka treguar se në mbledhjen e Kryesisë ka pasur pajtueshmëri edhe për një deklaratë të përbashkët lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Po ashtu patëm një pajtueshmëri për një deklaratë të përbashkët e cila do të shprehte edhe unitetin e jo vetëm të partive politike, por mbi të gjitha unitetin e qytetarëve në raport me një qëndrim politik me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale të datës 16 shtator”, deklaroi ajo.

Nagavci tha se Grupi Parlamentar i VV-së do të kontribuojë në hartimin e deklaratës, duke theksuar se ajo do të jetë në përputhje me qëndrimin e deritanishëm të kësaj partie ndaj Gjykatës Speciale.

“Si GP i VV-së do të japim kontributin tonë, komentet tona, gjë që do të jetë në vazhdimësi të qëndrimit tonë të përhershëm në raport me Gjykatën Speciale”, tha Nagavci.

Të Ngjashme