Lajme

Nagavci: Tërheqja e Sejdiut nga gara për President, humbje për një proces që duhej të sillte personalitete me integritet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar si humbje për procesin tërheqjen e Bekim Sejdiut nga gara për President të Republikës.

Sipas saj, procesi do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet.

“Në vend që të krijojmë hapësirë për personalitete të tilla që të vënë dijen dhe përvojën e tyre në shërbim të shtetit, po krijohet një klimë politike që i demotivon ata”, ka shkruar Nagavci në një reagim në Facebook.

Ajo ka shtuar se përpjekja për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja po e dërgon Kosovën “nga një bllokadë në tjetrën”, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e konsensusit të nevojshëm për vendin.

“Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja. Ka nevojë për përgjegjësi, stabilitet institucional dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Prof. Sejdiut i shpreh respekt dhe mirënjohje për gatishmërinë që, me integritetin dhe profesionalizmin e tij, t’i shërbejë Republikës”, ka përfunduar Nagavci.

Ndryshe, kandidati për president, profesori Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës.

Sejdiu në një postim në Facebook ka thënë se duke u marrë parasysh rrethanat, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për t’u zgjedhur e po ashtu nga devijimi i tërë procesit, ka vendosur të tërhiqet dhe se për këtë ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sejdiu ishte prezantuar si kandidat konsensual për president dy javë më parë, pas marrëveshjes së dakorduar mes VV-së dhe LDK-së.

Të Ngjashme