Deri në fillim të javës së ardhshme do të funksionalizohet grupi punues për mbrojtjen e ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e dytë të apelit në Hagë.
Kjo u bë sot e ditur nga shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci pas seancës së Kuvendi të Kosovës,.
Nagavci ka bërë të ditur se Vetëvendosje ende nuk e ka caktuar emrin e deputetit që do të jetë pjesë e këtij grupi, por shtoi se është e rëndësishme që ky grup do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm Glauk Konjufca.
Nagavci: Emrat e grupit punues pritet të dihen javën e ardhshme
“Konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që Qeveria e ka marrë vendimin për themelimin e grupit punues dhe natyrisht, deputeti i deleguar nga ne do të jetë në nivel të detyrës, por nuk e kemi vendosur aktualisht sot emrin… Besoj që më së largu kah fillimi i javës së ardhshme, ne do t’i dërgojmë propozimet tona…E shoh të rëndësishëm që të udhëhiqet nga vetë zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, i cili e ka përvojën e duhur dhe njohuritë e nevojshme edhe vullnetin që të përmbyllim me sukses mandatin që iu është dhënë… Do të jetë një grup shumëdimensional dhe nuk kam asnjë dyshim që do të ketë një pajtueshmëri të plotë të anëtarëve të grupit punues”, ka deklaruar ajo.
