Lajme

Narkotrafikanti durrësak kapet për llogari të Italisë

Alket Hatia, 50 vjeç, i njohur edhe në nofkën “Zoti i Drogës” u arrestua nga policia në një hotel në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim pesë vite më parë me qëllim ekstradimin në Itali.

Policia njoftoi finalizimin e aksionit të koduar “International”, për kapjen e të dënuarit me 20 vjet burgim nga autoritetet gjyqësore italiane, për trafikim të lëndëve narkotike në sasi të mëdha. Burimet e policisë, thanë se Alket Hatia, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Milano e ka dënuar për “Trafikimi të lëndëve narkotike”.

Sipas policisë, Hatija ka bashkëpunuar me 40 shtetas të tjerë gjatë periudhës 2003-2004, për aktivitetin e shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali. Kjo nuk është hera e parë që 50 vjeçari arrestohet në Shqipëri, pasi iu vendosën prangat edhe në vitin 2017, mbi bazën e urdhrit të kërkimit nga autoritet italiane, me qëllim për t’u ekstraduar në Itali.

Më herët

Prokuroria bëri ankim dhe Apeli i Durrësit, më 14 qershor 2018, la në fuqi vendimin e Gjykatës Durrës për refuzimin e ekstradimit. Prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila prishi vendimin e Apelit dhe e ktheu çështjen për rishyqrtim në Apelin e Durrësit me një tjetër trupë gjykuese. Më 20 prill 2021, gjykata vendosi pranimin e kërkesës dhe lejimin e ekstradimit por kësaj radhe Alket Hatia e dërgoi çështjen në gjykatën e lartë. Kjo e fundit më 7 shtator 2021, vendosi mospranimin e rekursit. Zoti i drogës e dërgoi këtë vendim në Kushtetuese ku sërish kërkesa e tij u rrëzua dhe në datën 31 janar 2022, u la në fuqi ekstradimi drejt Italisë.