Aktori ikonik amerikan Carl Weathers ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare.
Weathers, shumë i njohur për rolin e Apollo Creed në katër filmat e parë të Rocky, ndërroi jetë i qetë në gjumë, sipas një deklarate të lëshuar nga familja e tij.
Filma të tjerë të rëndësishëm të tij kanë qenë Predator, me Arnold Schwarzenegger, dhe Happy Gilmore i Adam Sandler.
Weathers e nisi karrierën e tij si një sportist i NFL, ndërsa në dekalratën pas ndarjes nga jeta të familjes shkruhet gjithashtu: “Ai ishte një qenie njerëzore e jashtëzakonshme që jetoi një jetë të jashtëzakonshme. Nëpërmjet kontributit të tij në film, televizion, art dhe sport, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe njihet në mbarë botën dhe brezat. Ai ishte një vëlla, baba, gjysh, partner dhe mik i dashur.”
I lindur në vitin 1948 në New Orleans, Weathers filloi karrierën e tij duke luajtur futboll në Universitetin Shtetëror të San Diegos, ku studioi aktrim teatral, përpara se të bashkohej me Oakland Raiders në 1970. Gjatë karrierës së tij mbi 50-vjeçare në Hollywood, ai u shfaq në më shumë se 75 filma dhe shfaqje televizive. Në vitin 2021 ai u nominua për një Emmy për rolin e tij në The Mandalorian, ndërsa po ashtu drejtoi dy episode të serialit Star Wars, si dhe episodet e Law & Order dhe Chicago Med.
Ai ishte gjithashtu i njohur për Action Jackson, Close Encounters of the Third Kind, Eight Crazy Nights, Little Nicky dhe ekskluzivitetin Toy Story. Aktori i kthyer në atlet ka pasur një karrierë që ka zgjatur deri në “ditët e fundit”. duke luajtur së fundmi edhe në aksione e komedi, në paraqitjet që varionin nga Arrested Development tek The Mandalorian në Disney+.
lokimagazine