“Kosova akuzohet për rritje të tensioneve ndëretnike duke ndaluar përdorimin e dinarit serb”, kështu e ka nisur “The Guardian” artikullin kushtuar situatës së tensionuar në Kosovë pas vendimit të qeverisë së Kurtit dhe Bankës qëndrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarit derb.
E përditshmja “The Guardian” ka përmendur akuzat e SHBA dhe BE kundër kësaj rregullore dhe se pasojat që po shkakton ky vendim.
“Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar autoritetet e Kosovës se po rrisin tensione ndëretnike pa nevojë pasi Qeveria vendosi masën e ndalimit ndaj valutës serbe dhe udhëzoi komunitetin serb të pranojë euron. Bastisjet policore të urdhëruara nga ministri i Punëve të Brendshme në katër organizata që punojnë në zonat e populluara me serbë, që erdhën disa ditë pas vendimit për valutë, kanë shtuar frikë për përshkallëzim të situatës së sigurisë”, – ka shkruar “The Guardian”
Gazeta ka përmendur edhe akuzat e zyrtarëve serbë se vendimi i BQK-së do të ndikojë në jetën e përditshme të serbëve që varen nga asistenca sociale e Serbisë.
Euroja ka qenë valuta e vetme në Kosovë që nga paslufta. Por serbët, me rreth 5 për qind të popullatës, vazhdojnë ta përdorin dinarin, e sipas “The Guardian”, ky është reflektim i refuzimit të shtetësisë së Kosovës. Ata marrin pensione, paga e përfitime tjera sociale nga Beogradi.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova ta shtyjë rregulloren, duke shtuar se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për informim. Kosova është pajtuar me tranzicion, por s’ka treguar se sa do të zgjasë.
BE-ja ka kritikuar Kosovën për hapa “të njëanshëm” duke shtuar se frikësohet që do të nxisin përshkallëzim të raporteve me Serbinë.
“Këta janë hapa shqetësues sepse nuk kontribuojnë në shtensionim të situatës”, ka thënë Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian,” – shkruan prestigjozja.
Zyrtarët evropianë kanë thënë se statusi i organizatave që u mbyllën nga Policia, strukturat paralele të krijuara nga Beogradi , duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“The Guardian” ka shkruar po ashtu në burime se vendimi i Kosovës s’ka të bëjë me dëshirën për provokim, por për të luftuar krimet ekonomike e paratë false. E për strukturat paralele, Beogradi ishte pajtuar t’i hiqte me marrëveshjen e vitit 2013.
Orët e fundit duket se Kuri është tërhequr nga vendimi dhe ka deklaruar se është i gatshëm të adresojë sa më shpejt të gjitha shqetësimet.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo