ShowBizzz

Ndërroi jetë akademik Rexhep Ferri

Vdiq në moshën 86-vjeçare njëri ndër piktorët më të mëdhenj të artit shqiptar, akademik Rexhep Ferri.

Akademik Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë.
Rexhep Ferri u lind në Kukës më 1937. Në vitin 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa në vitin 1966 u diplomua në degën e pikturës të Akademisë së Arteve në Beograd.

Në periudhën 1974-2005 ishte pedagog në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ka hapur ekspozita të pavarura në Galerinë e Kolektivit Grafik në Beograd (1968 dhe 1973), në Galeria Darte II Cenacolo, Viçenca, Itali (1969), në Galerinë e Qendrës Kulturore, Beograd (1976), në Galerinë Lambert, Paris (1977) në Galerinë e Muzeut Kombëtar, Nish (1980), në Galerinë e Arteve, Prishtinë (1982), në Galerinë e Arteve, Sarajevë (1983), në Galerinë Vakko, Izmir, Ankara dhe Stamboll (1989), në Galerinë Vakko, Stamboll (1998), në Galerinë Kombëtare, Tiranë (2001), në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (2020) etj.

Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i kësaj Akademie.
Ka botuar libra me poezi, romane, ese. Veçohen nëntë tituj të përmbledhur në veprat e zgjedhura letrare.
Më 1971 mori Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, iu dha titulli Qytetar Nderi i Vlorës.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u hap ekspozita tij personale me veprat e zgjedhura. Po në Akademi u botua edhe monografia për veprën e tij.
Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Ferrit, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 7 qershor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:00 bëhen homazhe.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 13:00 në varrezat e Prishtinës.
ASHAK-u u shpreh ngushëllime të ndjera familjes, miqve dhe gjithë artdashësve.



ks