Lajme

Ndërtesa dhe llogari bankare, pasuritë që iu sekuestruan Malltezit

Prokuroria e Posaçme e SPAK pak më parë ka dhënë informacion në lidhje me akuzat zyrtare ndaj Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi si dhe për Fatmir Bektashi, të cilët akuzohen për aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”.

Veç akuzave jepet dhe infomacioni zyrtar në lidhje me sekuestrimin e pasurisë së dhëndërit të Berishës, Jamarbër Malltezi.

SPAK ka sekuestruar 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit Malltezit, 6 llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek), si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të Malltezit, në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave).

“Mbështetur në kërkesën datë 15.10.2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 410 datë 20.10.2023, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit J. M., 6 (gjashtë) llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të shtetasit J. M., si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të shtetasit J. M. në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave)”, njofton SPAK.

Jamarbër Malltezi u arrestua mbrëmjen e djeshme në Rinas, pasi akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në lidhje me aferën e privatizimit të kompleksit Partizani.

Në vitin 2008, pronat ku ndodhej kompleksi ishin në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Mirëpo, ish kryeministri Berisha brenda pak kohësh ua dha disa personave të tretë, të cilët pretendonin se ishin pronarë. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i tyre ishte Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës.

Sipas marrëveshjes, Malltezi do të merrte jo më pak se 5 për qind të vlerës së pronave të kthyera. Pronat e Klubit Partizani u kompensuan brenda 6 muajsh, me një vlerë mjaft të ulët. Edhe pse flitej për rreth 33 mijë metër katror tokë, shteti në atë kohë i ka dhënë për pronarët 100 milionë lekë.

Metoda e kompensimi përdorur nga grupi i ekspertëve është në kundërshtim të hapur me VKM 794 datë 21.11.2007 dhe të Udhëzimit Nr. 6364 datë 03.07.2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe procedurën e shitjes”, të cilët përcaktojnë që vlera e objekteve të privatizuara duhet t’i referohet çmimit të tregut të lirë.

Në atë tokë, kur dikur ndodhej Klubi sportiv “Partizani”  sot janë ndërtuar dhe vijojnë të ndërtohen ende dhjetëra kulla, teksa Jamarber Malltezi është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve, duke korrur miliona.