Bashkë me vapën e gushtit që ikin shtohen edhe ethet në radhët e ministrave të kabinetit “Rama 4”. Edhe pse nuk ka ende një datë zyrtare për mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, pritet që ajo të zhvillohet brenda javës së parë të shtatorit që përkon edhe me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Më saktë në datën 5 shtator. E në mos nuk ka fare asamble, pak po e sigurt që do të kemi ndryshime në qeveri. Burime të Lapsi.al afër kryeministrit Rama, kanë mësuar se deri më tani preken të paktën 5 ministri.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e sjellë nga Rama për lidhjen e fortë të miqësisë familjare që kishin po aq sa edhe për eksperiencën e saj të cmuar akademike duhet thënë, është mes emrave që mund të mos rikonfirmohet nga Rama. Në këtë pikë ku ka degraduar shëndetësia e sidomos korrupsioni endemik në këtë sektor, Sala është e pafuqishme për të ndryshuar asgjë.
Andis Salla që u katapultua si model i suksesshëm i kryebashkiakut të përkushtuar sidomos me fermerët, duket se nuk shkëlqeu sa duhet në krye të Ministrisë së Bujqësisë. Dhe me gjasë mund të mbahet mend vetëm për dy gjëra; premtimet boshe e të përmuajshme për hapje të programit IPARD, si dhe fotografia nga plazhi duke luajtur shah me kryebashkiakun e Librazhdit teksa vendi ishte në flakë nga zjarret.
Petrit Malajn kur e dëgjuam për herë të parë nga goja e Ramës kur e emëroi Ministër të Financave, kujtuam se ishte aktori i famshëm i filmave të Kinostudios Shqipëria e Re që i bënte hosana regjimit komunist. Por jo, ky ishte Petrit Malaj i Belinda Ballukut, një riosh në politikë dhe jetën publike. Burimi tregoi se edhe ai është mes emrave të mundshëm për t’u larguar nga Edi Rama.
Rezultati zgjedhor në 2025 në Tiranë duket se nuk e ndihmon dot Blendi Gonxhen për të vijuar të mbajë postin e ministrit të Turizmit dhe Kulturës. Aq më tepër po të flasim pastaj për shifrat dhe ecurinë e këtij sezoni turistik. Bashkë me largimin e mundshëm nga qeveria, Gonxhja shihet shumë larg edhe ambicies së tij të madhe, në emër të së cilës mblodhi vota një vitë më parë, për t’u bërë kryetar bashkie në Tiranë.
Një vit pasi Rama e nxorri si pullumb nga xhepi i xhaketës së Mirela Kumbaros, shqiptarët nuk e dinë ende as sot se kush është Ministër Mjedisi. Djaloshi lozonjar, Sofjan Jaupaj, që nuk mbajti kurrë një qëndrim për Zvërnecin, për Bënjën, djegien e pyjeve e plot krime të tjera mjedisore, me shumë mundësi nuk do të rikonfirmohet në qeveri më 5 shtator. Edhe ai mund të jetë njësoj si Gent Caka në kohën e vet. U shfaq, qëndroi pak dhe pastaj u zhduk pa asnjë gjurmë e le më kontribut politik apo publik.
Zëvendësuesit e këtyre 5 ministrave që pritet të largohen nuk dihen ende, por fundja kjo s’ka më asnjë rëndësi. Në gjendjen ku është degraduar qeverisja dhe në derexhenë ku ka rënë vetë Edi Rama, asnjë emër apo ndryshim nuk pritet të sjellë ndonjë gjë ndryshe. Kriza ka të bëjë me sistemin e ngritur nga Edi Rama dhe jo me emrat e kukullave që ai emëron. Më shumë sesa ndonjë efekt pozitiv të imagjinuar, ndryshimet e shtatorit prite të prodhojnë edhe më shumë kaos brenda mazhorancës./lapsi.al
