Në fillim të kësaj jave, në Policinë e Kosovës janë raportuar ndryshime të shumta në strukturën udhëheqëse, me emërime dhe caktime të reja në disa pozita të rëndësishme të këtij institucioni. Riorganizimi ka përfshirë nivelin e lartë drejtues, departamente dhe divizione të ndryshme, duke sjellë ndryshime në përgjegjësitë e disa zyrtarëve policorë.
Lidhur me këto zhvillime, nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se emërimet dhe sistemimet e personelit bëhen në përputhje me udhëzimet administrative, procedurat ligjore dhe nevojat operacionale të institucionit.
Sipas PK-së, si organizatë dinamike, ajo në vazhdimësi bën caktime dhe emërime të personelit në pozita të ndryshme, me qëllim të plotësimit të strukturës organizative dhe riorganizimit të personelit policor.
Ndër ndryshimet e bëra është emërimi i Taibe Canolli-Brajshorit si ushtruese e detyrës së zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Afërdita Mikullofcit në pozitën e drejtoreshës së Divizionit të Trafikut Rrugor, Agron Rukiqit si drejtor i Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Fehmi Xhatës si drejtor i Departamentit të Hetimeve.
Po ashtu, Arben Paçarizi është emëruar drejtor i Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës, Veton Elshani drejtor i Departamentit të Kufirit, ndërsa Kamer Jonuzi drejtor i Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse. Kurse, Agron Nezaj është caktuar në Zyrën për Hartimin dhe Koordinimin e Projekteve të Policisë së Kosovës, në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Ndërkaq, për rëndësinë dhe ndikimin që mund të kenë këto ndryshime në funksionimin e institucionit, kanë folur edhe ekspertët e sigurisë.
Ata vlerësojnë se ndryshimet në udhëheqjen e Policisë së Kosovës duhet të shërbejnë për rritjen e efikasitetit, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e sigurisë publike.
Sipas tyre, përzgjedhja e kuadrove duhet të bazohet në meritokraci, integritet dhe profesionalizëm, ndërsa reformat duhet të sjellin rezultate konkrete në terren dhe jo të mbeten vetëm ndryshime administrative.
Dashevci vlerëson ndryshimet në udhëheqjen e Policisë së Kosovës: Meritokracia duhet të jetë primare
Arben Dashevci
Ndryshimet në udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe riorganizimi i kuadrove drejtuese konsiderohen si pjesë e funksionimit dhe avancimit të vazhdueshëm institucional, por përzgjedhja e zyrtarëve duhet të bazohet në meritokraci, integritet dhe profesionalizëm.
Kështu ka vlerësuar eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një prononcim për “Bota sot”, duke folur për ndryshimet në strukturat drejtuese të Policisë së Kosovës dhe ndikimin e tyre në efikasitetin e këtij institucioni.
“Policia e Kosovës ka bërë edhe më përpara ndryshime të shumta në udhëheqjen e saj, duke i cilësuar ato si pjesë të funksionimit dinamik dhe riorganizimit të vazhdueshëm institucional. Kjo është krejt normale, mendoj unë.
Emërimet bëhen në përputhje me udhëzimet administrative, procedurat ligjore dhe nevojat operacionale, me qëllim të plotësimit të strukturës organizative dhe sistemimit të personelit policor, por edhe të ngritjes së efikasitetit, suksesit dhe avancimit aty ku mendohet se ka ngecje.
Meritokracia duhet të jetë primare. Zyrtarët, përkatësisht përzgjedhja e tyre, duhet të bëhen vetëm në bazë të meritave, integritetit dhe profesionalizmit”, ka thënë ai.
Tutje, eksperti i sigurisë ka vlerësuar se këto ndryshime mund të kenë ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e punës së Policisë së Kosovës, sidomos në koordinimin dhe menaxhimin e operacioneve policore.
Ai ka përmendur edhe sfidat e sigurisë me të cilat po përballet vendi, duke theksuar se ngjarjet e viteve të fundit, përfshirë vrasjet dhe dhunën në familje, e bëjnë të nevojshëm forcimin e kapaciteteve profesionale të këtij institucioni.
“Këto ndryshime janë të rëndësishme, nganjëherë edhe të domosdoshme, për avancimin e funksionimit dhe efikasitetit të Policisë së Kosovës. Këtë e pret edhe qytetari, pra pret efikasitet.
Riorganizimi i kuadrove drejtuese në koordinimin dhe menaxhimin e operacioneve policore mund të ndikojë shumë, duke pasur parasysh ngjarjet që po ndodhin vitet e fundit, pra vrasjet, dhunën në familje etj.
Dhe mu këto lëvizje mund të kontribuojnë shumë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në përballimin më të mirë të sfidave të sigurisë në vend”, ka deklaruar Dashevci për “Bota sot”.
Elezi: Ndryshimet në Policinë e Kosovës nuk duhet të mbeten vetëm riorganizime administrative, nevojitet reformë e mirëfilltë
Bedri Elezi
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, për “Bota sot”, ka vlerësuar se reforma e vërtetë policore nuk duhet të kufizohet vetëm në ndryshimin e personave në pozita drejtuese, por duhet të përfshijë mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit të institucionit.
“Ndryshimet në strukturën udhëheqëse të Policisë së Kosovës duhet të trajtohen përtej konceptit të emërimeve, shkarkimeve apo lëvizjeve të kuadrove brenda institucionit. Ato duhet të jenë pjesë e një procesi të mirëfilltë reformues, i cili synon rritjen e performancës institucionale, avancimin e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e rezultateve konkrete në fushën e sigurisë publike.
Në këtë drejtim, konsideroj se reformat janë instrumente për të prodhuar performancë dhe jo thjesht mekanizma për të reaguar ndaj problemeve të shfaqura. Një institucion serioz i sigurisë nuk duhet të presë që të përballet me dështime të dukshme, dobësi të theksuara organizative apo kriza operative për të ndërmarrë reforma. Përkundrazi, reforma duhet të jetë proces i vazhdueshëm, parandalues dhe zhvillimor, i bazuar në vlerësimin periodik të performancës, identifikimin e mangësive dhe përshtatjen me dinamikat e reja të kërcënimeve të sigurisë”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Tutje, eksperti ka vënë në dukje se ndryshimi i emrave dhe pozicioneve drejtuese nuk mjafton për të sjellë përmirësime në punën e Policisë, nëse këto ndryshime nuk shoqërohen me objektiva konkrete dhe përgjegjësi menaxheriale.
“Megjithatë, duhet të jemi të qartë se ndryshimi i emrave dhe pozicioneve drejtuese, në vetvete, nuk përbën reformë. Nëse ndryshimet nuk shoqërohen me objektiva të matshme, përgjegjësi menaxheriale, vlerësim të rezultateve dhe ndryshim të qasjes operative, atëherë ato rrezikojnë të mbeten vetëm riorganizime administrative, pa prodhuar ndonjë efekt domethënës në sigurinë publike.
Një aspekt tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është se riorganizimi i kuadrove drejtuese duhet të shoqërohet domosdoshmërisht edhe me ristrukturimin dhe përditësimin e programeve policore, prioriteteve operative dhe objektivave strategjike. Policia e Kosovës duhet t’i harmonizojë këto procese me legjislacionin në fuqi, Strategjinë e Sigurisë së Kosovës dhe dokumentet përkatëse strategjike e sektoriale”, ka theksuar ai.
Duke folur për sfidat aktuale të sigurisë, Elezi ka përmendur krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore, ekstremizmin e dhunshëm, kërcënimet hibride dhe krimin kibernetik.
Sipas tij, përballja me këto rreziqe kërkon kapacitete të specializuara dhe koordinim më të mirë ndërinstitucional.
“Sot, sfidat e sigurisë nuk janë statike. Përveç kriminalitetit tradicional, institucionet tona përballen me krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore, ekstremizmin e dhunshëm, kërcënimet hibride, krimin kibernetik, rreziqet që prekin infrastrukturën kritike dhe sfidat që lidhen me sigurinë kufitare. Prandaj, edhe organizimi policor duhet të jetë në gjendje t’u përgjigjet këtyre sfidave përmes kapaciteteve të specializuara, inteligjencës policore, koordinimit ndërinstitucional dhe reagimit të shpejtë operacional.
Po ashtu, ndryshimet në udhëheqje duhet të krijojnë vazhdimësi institucionale dhe jo ndërprerje të proceseve profesionale. Përzgjedhja dhe sistemimi i kuadrove duhet të mbështeten në meritokraci, përvojë, integritet, profesionalizëm dhe rezultate të dëshmuara, duke garantuar pavarësinë profesionale të Policisë nga çdo ndikim i papërshtatshëm”, ka shtuar Elezi.
Në fund, eksperti i sigurisë ka theksuar se suksesi i reformave në Policinë e Kosovës duhet të matet përmes rezultateve konkrete në terren, veçanërisht në rritjen e sigurisë së qytetarëve, parandalimin e kriminalitetit dhe efikasitetin e hetimeve.
“Në fund, duhet ta kuptojmë se suksesi i reformës policore nuk matet me numrin e emërimeve apo shkarkimeve, por me rezultatet që prodhojnë ato në terren. Matësi i vërtetë duhet të jetë rritja e sigurisë së qytetarëve, parandalimi i kriminalitetit, efikasiteti i hetimeve, besimi publik dhe aftësia e Policisë për t’iu përgjigjur në kohë dhe me profesionalizëm çdo kërcënimi.
Policia e Kosovës ka nevojë për një zhvillim institucional të vazhdueshëm, ku reformat nuk bëhen vetëm atëherë kur problemet bëhen të dukshme, por shumë më herët, në mënyrë që problemet të parandalohen dhe performanca të avancohet. Reforma e vërtetë nuk është ndryshimi i njerëzve në pozita, por ndryshimi i mënyrës se si institucioni funksionon, menaxhon, parandalon dhe garanton sigurinë publike”, ka përfunduar Elezi për “Bota sot”.
