Rastet e shtuara në vendin tonë me abuzime seksuale me të mitur ka nxjerrë në pah mangësitë e Kodit Penal për dënimin e marrëdhënieve seksuale me të mitur.
Ngjarja e fundit që tronditi vendin tonë ishte martesa fetare e një 16 vjeçareje me mjekun kirurg Dervish Hasi. Po ashtu rreth një muaj më parë u bë publik rasti i një 14-vjeçareje, e cila u martua me një person 20 vite më të madh se vetja në Divjakë.
Këto dhe shumë raste të tjera kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve përkatëse, të cilat kanë nevojë për një ashpërsim dhe riformatim të rregullave dhe ligjeve. Burime për mediat bëjnë me dije se Kodi Penal do të ndryshojë dhe se seksioni i krimeve seksuale nga tetë nene që ka aktualisht do të ketë 23.
Sipas draft-propozimit të përfunduar në Nëntor të 2023-it thuhet se mosha për të shprehur dakordësinë për marrëdhënie seksuale do të rritet nga 14 në 16 vjeç. Gjithashtu parashikohte të rritet edhe dënimi. Drafti i ri propozon 10-15 vite për çdo akt me natyrë seksuale që kryhet me një person të mitur të moshës deri në 16 vjeç.
Sipas Tv Klan në draftin e hedhur për diskutim propozohet kategorizimi i poligamisë si vepër penale. Ndryshimet e propozuara në këtë draft nga Ministria e Drejtësisë, ndonëse janë më shumë se kurrë të domosdoshme ende nuk janë hedhur për konsultim publik çka do i hapte kështu rrugë kalimit të tyre në Kuvend.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo