Lajme

Në 27-vjetorin e themelimit, Policia vlerësohet për përkushtimin dhe garantimin e sigurisë dhe rendit

Uniformat e Policisë së Kosovës u bënë bashkë këtë të diel.

Kjo  për ta shënuar 27-vjetorin e themelimit të këtij institucioni.

Ceremonia u zhvillua me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Policisë dhe të figurave shtetërore.

E në këtë përvjetor nuk u harruan as policët që ranë në krye të detyrës.

Për këtë, ceremonia nisi me mbajtjen e një minutë heshtje

E më pas fjalën e mori ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

“Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, në këtë ditë përkujtimi dhe krenarie nuk mund të flasim për historinë e institucionit tuaj pa u ndalur te çmimi që është paguar për këtë shërbim. Në 27 vjet, 25 zyrtarë policorë kanë rënë në krye të detyrës. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë së Policisë së Kosovës, ata janë pjesë e historisë së Republikës dhe të lirisë që ne e gëzojmë sot. Në mesin e tyre është edhe rreshteri Afrim Bunjaku, i cili më 24 shtator 2023 u vra në Banjë gjatë sulmit terrorist duke mbrojtur Republikën e Kosovës. Ne sot i kujtojmë policët e rënë me dhimbje, por edhe me shumë krenari, sepse sakrifica e tyre na kujton se siguria që shpesh e marrim si të mirëqenë nuk është e tillë”, tha Haxhiu.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, foli për punën e Policisë së Kosovës në veri të vendit, veçanërisht në zbardhjen e rasteve të të zhdukurve nga lufta.

“Rritja e sigurisë dhe prania e institucioneve shtetërore në veri tregoi se ishte kyç edhe për zbulimin e varrezave masive dhe mbetjeve mortore të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit. Në afërsi të tyre u gjetën edhe sasitë e mëdha të armatimit e të municionit, të cilët janë dërguar për ekzaminim dhe analizë për lidhjen me krimet dhe masakrat e kryera në ato tri lokacione në Zubin Potok, pra në fshatin Kalludër dhe Javuk. Pesha e punës së policisë mban vlerë morale ndaj kujtesës sonë kombëtare dhe ndaj viktimave të agresionit e të gjenocidit të Serbisë. Përballë të gjitha sfidave që i paraqiten, policia do të vazhdojmë ta mbështesim me pajisje moderne, kushte më të mira dhe mbrojtje institucionale, por edhe do t’ja shtojmë forcat për krah saj”, u shpreh Kurti

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi përballjen e Policisë me kërcënimet e sigurisë dhe grupet kriminale.

“Vetëm gjatë viteve të fundit, Policia e Kosovës ka dëshmuar në rrethana jashtëzakonisht të vështira se është e gatshme dhe aftë të përballet me kërcënime të natyrave të ndryshme, përfshirë ballafaqimin me struktura dhe grupe kriminale e terroriste të mbështetura nga aparati shtetëror i Serbisë. Përballë tyre, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë treguar vendosmëri, profesionalizëm dhe guxim, duke mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Sot, Policia e Kosovës është e pranishme në çdo cep të Republikës dhe i shërben çdo qytetari pa dallim”, tha ai .

Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.

 

 

 

Të Ngjashme