Fituesja e BBV3, Egla Ceno u shfaq mbrëmjen e së martës mes dyshes së prezantuesve të “Fiks Fare”.
Të tre aktorët shkëmbyen batuta midis tyre në lidhje me lojën në BBV3 ku Ceno u shpreh se pjesëmarrja në shtëpinë më të famshme ishte një çast dobësimi, por që nuk pendohet aspak që ishte pjesë e saj, ”nuk e di si m’i mori Perëndia mend dhe pranova”, siç u shpreh ajo me humor.
Kryefjala e çdo portali dhe e rrjeteve sociale aktorja Ceno tregoi mes notave të humorit se si po e përjeton fitoren, marrëdhënien me banorët e tjerë jashtë shtëpisë dhe projektet për të ardhmen.
Për Fiksin, Egla Ceno pranoi se në BBV3 nuk ishte Egla e vërtetë, por ka luajtur dhe aktruar.
Marrëdhënien me banorët e tjerë të shtëpisë më të famshme pranoi nën nota humori se janë ‘0’, madje nuk kurseu as një thirrje publike për aktorin Julian Deda që nënkuptohet se as me të nuk ka komunikuar.
Madje ajo tregoi edhe incidentin që i kishte ndodhur natën e fitores ku ishte rrëzuar dhe Juli nuk ia kishte kursyer batutën: “kështu është kur e merr Big-un me hile”.
Në lidhje me finalistin e tretë Romeo Veshaj, Egla pohoi se do vijë koha kur do sqarohen të gjitha gjërat pasi ai të ftillohet:
“Romeo është shëndoshë e mirë, por ka ca gjëra që unë nuk mund t”i them për momentin. Do vijë koha, do ftillohet historia vetë, qetë e qetë”.
lokimagazine