Lajme

Në Ditën e Paqeruajtësve, UNMIK-u thekson rëndësinë e investimit në paqe

Shefi i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Peter Due, ka pritur përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare në selinë e misionit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Takimi u zhvillua nën temën e sivjetme “Investoni në Paqe”, duke ofruar një mundësi për reflektim mbi rolin dhe rëndësinë e operacioneve paqeruajtëse në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë.

Gjatë aktivitetit, përfaqësuesit e pranishëm u informuan për punën dhe prioritetet aktuale të UNMIK-ut, përfshirë iniciativat për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve dhe angazhimet më të gjera të Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Në një njoftim zyrtar, UNMIK shprehu mirënjohjen ndaj komunitetit ndërkombëtar për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e paqes, stabilitetit, dialogut dhe ndërtimit të besimit në Kosovë.

“UNMIK shpreh mirënjohjen e tij për komunitetin ndërkombëtar për partneritetin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme në avancimin e paqes, stabilitetit, ndërtimit të besimit dhe dialogut në Kosovë”, thuhet në deklaratën e misionit./teve1.info/

Të Ngjashme